Kronika 28 October 2026, 19:24 Nga VNA

Policia e Shtetit, zyrtarisht patronazhiste e protestave: Qeveria fut në regjistër qytetarët ende pa u shpallur fajtorë

Ndaje në Whatsapp
Policia e Shtetit, zyrtarisht patronazhiste e protestave: Qeveria fut në

Qeveria Rama ka vendosur të krijojë një regjistër elektronik të personave të dyshuar për dhunë gjatë protestave, duke i dhënë Policisë së Shtetit një instrument të ri për evidentimin dhe ndjekjen administrative të qytetarëve, edhe kur ndaj tyre nuk ka një vendim fajësie nga gjykata.

Regjistri, që do të administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, do të përfshijë personat e referuar në Prokurori ose nën hetim për vepra penale të lidhura me protestat, grumbullimet dhe manifestimet publike.

Por qeveria nuk mjaftohet me regjistrimin. Vendimi parashikon edhe mundësinë e refuzimit administrativ të daljes jashtë Shqipërisë, si dhe njoftimin e strukturave private të akomodimit për personat që plotësojnë kriteret e përcaktuara.

Me fjalë të tjera, mjafton të jesh objekt i një referimi policor për t’u përfshirë në një regjistër që mund të sjellë pasoja administrative, pa qenë e nevojshme të ekzistojë një vendim gjyqësor fajësie.

Në kulmin e protestave kundër qeverisë, Edi Rama po i jep policisë një rol që shkon përtej hetimit të dhunës: evidentimin sistematik të protestuesve të dyshuar dhe mundësinë e shpërndarjes së të dhënave të tyre edhe jashtë institucioneve të drejtësisë.

Dhuna në protesta është vepër që ndëshkohet nga ligji. Por referimi në Prokurori nuk është dënim dhe dyshimi i policisë nuk mund të zëvendësojë vendimin e gjykatës.

Kush vendos se cili qytetar hyn në këtë regjistër, kush autorizon kufizimet dhe kush garanton se ai nuk do të përdoret kundër protestuesve?

Qeveria e quan masë sigurie. Por pa garanci të forta ligjore, regjistri rrezikon të kthehet në një sistem patronazhimi policor të protestave, ku qytetari identifikohet, regjistrohet dhe mund të përballet me kufizime ende pa u provuar fajësia e tij.

Video

Kur merr vesh se ka zjarr tek selia e PS-së

🔴PO NDODH TANI TE RRUGA E ELBASANIT

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme