
Biznesmeni Arbër Abazi është marrë i pandehur për veprën penale të pastrimit të parave, në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme për çështjen që lidhet me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Abazi dyshohet se ka financuar ndërtimin e një vile në Palasë, e cila dyshohet se i përket ish-ministres së Infrastrukturës. Për këtë episod, biznesmeni po hetohet veçmas, ndërsa SPAK vijon procedurat në kuadër të dosjes.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme pritet të paraqiten në ambientet e Prokurorisë së Posaçme edhe 15 persona të tjerë, të marrë të pandehur në lidhje me të njëjtën çështje. Ata do të njihen zyrtarisht me vendimin për përfundimin e hetimeve.
Procesi pritet të vijojë edhe ditën e nesërme, me paraqitjen e personave të tjerë të përfshirë në dosje, të cilëve do t'u komunikohet përfundimi i hetimeve.Dyshimet për financimin e vilës në Palasë mbeten pjesë e hetimeve ndaj Abazit, ndërsa përgjegjësia penale e personave të përfshirë do të përcaktohet nga organet e drejtësisë.






















