Rajoni 28 October 2026, 11:52 Nga VNA

Vrasja e Arlinda Zekajt/ Thellohet skandali, viktima i kishte dërguar letër edhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Ndaje në Whatsapp

Vrasja e Arlinda Zekajt/ Thellohet skandali, viktima i kishte dërguar

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e 49-vjeçares Arlinda Zekaj në Kosovë, ndërsa dyshimet për neglizhencë nga institucionet e drejtësisë po zgjerohen. Viktima, e cila dyshohet se u vra nga kunati i saj, kishte kërkuar ndihmë nga disa prej institucioneve më të larta të drejtësisë, vetëm pak ditë përpara krimit.

Sipas gazetës Nacionale, Arlinda Zekaj i kishte dërguar një letër edhe kryetarit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Rrustem Thaqi, përmes së cilës denonconte mungesën e reagimit institucional ndaj dhunës që pretendonte se po përjetonte.

Burime të Nacionales bëjnë të ditur se viktima kishte dërguar të njëjtën letër edhe te Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për mbrojtjen e saj. Në shkresat e dërguara, 49-vjeçarja ngrinte shqetësimin për mënyrën se si autoritetet kishin trajtuar denoncimet e saj.

Gazeta Nacionale ka kërkuar sqarime nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës nëse letra ishte pranuar nga drejtuesi i institucionit dhe nëse ishte ndërmarrë ndonjë veprim konkret. Megjithatë, deri në publikimin e raportimit, KGJK-ja nuk kishte kthyer përgjigje.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka arrestuar në Deçan Albert Sylajn, kunatin e viktimës, i cili dyshohet si autor i vrasjes. Sipas njoftimit policor, arrestimi është kryer rreth orës 23:40, pas veprimeve të ndërmarra nga njësitet përkatëse. Sylaj dyshohet se e ka goditur 49-vjeçaren me sëpatë në kokë, duke i shkaktuar vdekjen.

Përpara ngjarjes tragjike, Arlinda Zekaj kishte denoncuar dhunën që, sipas saj, ushtrohej nga bashkëshorti dhe pjesëtarë të tjerë të familjes. Ajo i ishte drejtuar gjithashtu kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, duke kërkuar hetimin e institucioneve që pretendonte se kishin neglizhuar rastin e saj.

Në letrën drejtuar kryeprokurores, viktima kishte paralajmëruar për rrezikun që i kanosej jetës, duke shkruar:

“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”.

Vrasja e Arlinda Zekajt ka ngritur pikëpyetje serioze mbi reagimin e institucioneve të Kosovës ndaj denoncimeve për dhunë në familje. Raportimet për letrat e dërguara përpara krimit shtojnë nevojën për të sqaruar nëse autoritetet kishin dijeni për rrezikun dhe çfarë masash, nëse ka pasur të tilla, ishin ndërmarrë për mbrojtjen e viktimës.

Video

Studentët e Mjekësisë nisin marshimin edhe ditën e sotme, në drejtim të Ministrisë së Arsimit. Protesta e studentëve ka hyrë në ditën e 16-të dhe ka pasur përplasje të forta mes të rinjve dhe policisë.

SPAK mbyll hetimet për Belinda Ballukun, dosja drejt gjykimit

Biznesmeni i ndërtimit, Pandeli Carapuli, është paraqitur ditën e sotme në ambientet e SPAK.

Një tornado e fuqishme ka goditur një kantier ndërtimi në lagjen Fevzi Çakmak të Antalias, në Turqi, duke shkaktuar vdekjen e katër punëtorëve dhe plagosjen e një tjetri. Sipas raportimeve, erërat e forta shkatërruan dy kontejnerë ku strehoheshin punëtorët, duke i hedhur pesë prej tyre jashtë. Dy humbën jetën në vendngjarje, ndërsa dy të tjerë ndërruan jetë në spital.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme