
Autoritetet serbe u kanë ndaluar hyrjen në Preshevë tre deputeteve të Kuvendit të Kosovës dhe ambasadorit të Kosovës në Beograd, të cilët po udhëtonin për të ngushëlluar kryetaren e komunës, Ardita Sinani, pas ndarjes nga jeta të babait të saj.
Deputetet e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, Fatmire Mullhaxha-Kollçaku dhe Liza Gashi, së bashku me ambasadorin Jetish Jashari dhe këshilltarin e kryeministrit Albin Kurti, Ragmi Mustafi, janë mbajtur për disa orë në pikën kufitare të Depcës. Më pas, autoritetet serbe u kanë komunikuar se nuk do të lejoheshin të vazhdonin udhëtimin drejt Preshevës.
Ngjarjen e ka denoncuar vetë Ardita Sinani përmes një reagimi në Facebook, duke sqaruar se vizita kishte karakter personal dhe jo zyrtar. Sipas saj, Ragmi Mustafi do t'i përcillte edhe ngushëllimet e kryeministrit Albin Kurti.
Sinani e ka dënuar vendimin e autoriteteve serbe, duke i akuzuar se kanë përfshirë politikën edhe në një moment zie familjare.
“Serbia vendosi paturpësisht ta përfshijë politikën edhe në këtë rast”, është shprehur ajo, duke e cilësuar ngjarjen si një tjetër shfaqje të politikave diskriminuese ndaj shqiptarëve.
Kryetarja e Preshevës ka theksuar se pengesa të tilla nuk mund të cenojnë lidhjet politike dhe shpirtërore mes Kosovës dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës.






















