Serbia mban këtë të diel zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pas afro dy vitesh protesta studentore që tronditën pushtetin e Partisë Progresive Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiçit. Rreth 6.45 milionë qytetarë kanë të drejtën të zgjedhin 250 deputetët e parlamentit, ndërsa qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri në orën 20:00.
Përballë SNS-së qëndron Lista e Studentëve, një lëvizje që synon ta shndërrojë mobilizimin në rrugë në ndryshim pushteti përmes votës. Kandidatët e saj përfshijnë ekspertë, pedagogë, sportistë, fermerë dhe artistë të mbështetur nga studentët. Vuçiç, i cili dha dorëheqjen nga presidenca në shtator, synon të rikthehet si kryeministër.
Rreth 150 mijë mbështetës u mblodhën të enjten në Beograd, në tubimin përmbyllës të fushatës së Listës së Studentëve.
Lëvizja lindi pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, në nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona. Studentët kërkuan përgjegjësi për tragjedinë, transparencë dhe forcimin e institucioneve, duke e kthyer protestën kundër korrupsionit në një sfidë elektorale për partinë që dominon politikën serbe prej vitit 2012.






















