Bota 25 October 2026, 14:06 Nga VNA

Europa në valë protestash të dhunshme/ Përplasje me policinë në Itali e Francë, mbi 1.300 të ndaluar në Francë dhe qindra të shoqëruar në Itali

Ndaje në Whatsapp

Europa në valë protestash të dhunshme/ Përplasje me

Italia dhe Franca janë përballur me një tjetër fundjavë protestash masive, të shoqëruara me përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit, përdorim të gazit lotsjellës, ujit me presion dhe arrestime. Bilancet e publikuara këtë të diel, 25 tetor, tregojnë se tensionet sociale vazhdojnë, megjithëse dhuna dhe shkatërrimet kanë qenë më të kufizuara se fundjavën e kaluar.

Në Itali, protestat e 24 tetorit përfshinë Romën, Milanon, Torinon, Bolonjën dhe qytete të tjera. Demonstruesit kundërshtuan rritjen e kostos së jetesës, politikat e qeverisë së Giorgia Melonit dhe shpenzimet për armatimin e luftërat.

Përplasjet më të forta u regjistruan në Torino, Romë dhe Bolonjë, ku grupe protestuesish hodhën gurë, shishe dhe mjete piroteknike ndaj policisë. Forcat e rendit ndërhynë me gaz lotsjellës, ujë me presion dhe operacione për shpërndarjen e turmave. Në Milano, ku një javë më parë ishin regjistruar plaçkitje dhe dëmtime të konsiderueshme, protestat e kësaj fundjave ishin kryesisht paqësore.

Sipas bilancit zyrtar italian, në të gjithë vendin u arrestuan 9 persona, 87 u denoncuan dhe 371 u shoqëruan në komisariate, mes tyre 110 të mitur. Policia identifikoi gjithsej 4.292 persona.

Në Francë, përmasat e mobilizimit ishin edhe më të mëdha. Ministria e Brendshme raportoi 410 mijë pjesëmarrës në 289 protesta në të gjithë vendin, ndërsa sindikata CGT vlerësoi se numri i demonstruesve ishte rreth 800 mijë. Vetëm në Paris, sipas autoriteteve, dolën në rrugë 110 mijë persona.

Protestat, të nxitura nga pakënaqësia për koston e jetesës, pabarazinë ekonomike dhe mungesën e financimit të arsimit, u shoqëruan me përplasje në kryeqytet dhe qytete të tjera. Në Paris, grupe demonstruesish hodhën sende dhe mjete piroteknike ndaj policisë, e cila përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

Bilanci i publikuar mëngjesin e 25 tetorit nga Ministria franceze e Brendshme flet për 1.314 persona të ndaluar, 53 efektivë të plagosur, 75 ndërhyrje për zjarre dhe 24 biznese të plaçkitura. Shifrat janë dukshëm më të ulëta se ato të 17 tetorit, kur Franca përjetoi një valë shumë më të rëndë dhune dhe shkatërrimesh.

Qeveritë e Giorgia Melonit dhe Emmanuel Macronit kanë forcuar masat e sigurisë përballë protestave, ndërsa sindikatat dhe lëvizjet studentore vazhdojnë të kërkojnë ndryshime ekonomike e sociale.

Video

Urdhri më i ri i kryeministrit.

Studentët kanë nisur të grumbullohen përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë, duke vijuar për të 13-ën ditë radhazi protestën kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Vlorë moj…

Dita e 13-të e protestës studentore kundër qeverisë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme