Rajoni 26 October 2026, 19:48 Nga VNA

Çfarë politike të jashtme propozon Lista Studentore në Serbi?

Ndaje në Whatsapp
Çfarë politike të jashtme propozon Lista Studentore në

Lista Studentore në Serbi synon të thellojë bashkëpunimin me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, por njëkohësisht të ruajë partneritetin me Rusinë dhe Kinën. Për Kosovën, ajo kundërshton pavarësinë dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, ndërsa kërkon shqyrtimin e kushtetutshmërisë së marrëveshjeve të arritura.

Këto qëndrime janë pjesë e programit për politikën e jashtme të listës që fitoi zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit dhe që, sipas rezultateve preliminare, do të ketë mjaftueshëm mandate për ta formuar qeverinë pa partnerë koalicioni.

Në përbërje të saj ka profesorë, juristë, doktorë, inxhinerë, artistë e sportistë, por ende nuk dihet kë do të propozojë për kryeministër.

E dalë nga protestat kundër korrupsionit, Lista Studentore premton t’i japë fund nepotizmit dhe emërimeve partiake në diplomaci. Njëkohësisht, programi i saj parashikon ruajtjen e neutralitetit ushtarak dhe bashkëpunimin me fuqi që kanë interesa të ndryshme ndërkombëtare.

Kosova: Kundërshtim i pavarësisë dhe shqyrtim i marrëveshjeve

Siç ka raportuar Radio Evropa e Lirë, Lista Studentore zotohet të angazhohet për mbajtjen e Kosovës brenda Serbisë, duke iu referuar Kushtetutës serbe dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Do ta kundërshtojmë në mënyrë të vazhdueshme pavarësinë e shpallur njëanshëm të së ashtuquajturës Republikë të Kosovës dhe nuk do të lejojmë anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare”, thuhet në program.

Dokumenti kërkon që të gjitha marrëveshjet t’i nënshtrohen vlerësimit të kushtetutshmërisë dhe e cilëson të papranueshëm zbatimin e dispozitave që bien ndesh me Kushtetutën.

Lista premton gjithashtu ndjekjen penale të përfaqësuesve të pushtetit për vepra të mundshme penale të lidhura me lidhjen dhe zbatimin e marrëveshjeve që ajo i përshkruan si jokushtetuese dhe në dëm të Serbisë.

Megjithatë, në këtë pjesë të programit nuk identifikohen marrëveshje konkrete dhe nuk shpjegohet se si do të ndikonte ky shqyrtim në angazhimet e Beogradit në dialogun me Prishtinën.

Për serbët në Kosovë, programi synon “lidhjen administrative të vendbanimeve me popullsi serbe” me komunat me shumicë serbe dhe sigurimin e “autonomisë sa më të madhe” ndaj institucioneve të Prishtinës.

Ai parashikon edhe mbrojtjen e institucioneve arsimore, shëndetësore, sociale dhe kulturore serbe, si dhe të trashëgimisë fetare dhe pronës së Kishës Ortodokse Serbe.

Rusia: Partneritet dhe refuzim i sanksioneve

Qëndrimi ndaj Rusisë është i shprehur qartë: Lista Studentore premton ruajtjen e “partneritetit tradicional”, përfshirë bashkërendimin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për çështje që lidhen me integritetin territorial të Serbisë.

“Republika e Serbisë do ta ruajë qëndrimin parimor për mosvendosjen e masave kufizuese ndaj Federatës Ruse”, thuhet në program.

Dokumenti e arsyeton kundërshtimin ndaj sanksioneve me dyshimet për efektshmërinë e tyre dhe pasojat për popullsinë, duke iu referuar edhe përvojës historike të Serbisë.

Nikola Xaviereff-Weckwerth, ekspert për Ballkanin nga Këshilli Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë, nuk pret ndryshim të menjëhershëm të qëndrimit ndaj Moskës.

“Me gjasë nuk do të vendosin sanksione ndaj Rusisë, përveç nëse ka ndonjë presion jashtëzakonisht të madh nga Bashkimi Evropian”, tha ai për Radion Evropa e Lirë pas zgjedhjeve.

Në të njëjtën kohë, lista shpreh mbështetje për integritetin territorial të të gjitha shteteve sovrane, përfshirë Ukrainën, dhe angazhim për përfundimin e luftës e zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve.

Programi nuk përcakton masa konkrete për të mbështetur këtë qëndrim ndaj Ukrainës, por thotë se Serbia duhet të zhvillojë marrëdhënie sa më të mira me të dy popujt.

BE-ja: Reforma dhe bashkëpunim ekonomik

Në pjesën për Evropën, Lista Studentore e përshkruan BE-në si partnerin më të rëndësishëm ekonomik të Serbisë dhe thekson përfitimet nga tregtia, lëvizja pa viza dhe fondet evropiane.

Ajo premton përparim në fushën e gjyqësorit, të drejtave themelore, drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, të përfshira në kapitujt 23 dhe 24 të negociatave për anëtarësim.

Synimi i shprehur është sigurimi i një vlerësimi pozitiv për përmbushjen e kritereve të ndërmjetme në këto fusha, të njohur si IBAR.

Lista synon gjithashtu thellimin e partneriteteve me Greqinë, Italinë, Hungarinë dhe Francën, si dhe bashkëpunim më të madh me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankën Evropiane të Investimeve.

SHBA-ja: Më shumë besim, investime dhe bashkëpunim në mbrojtje

Për marrëdhëniet me Uashingtonin, Lista Studentore premton bashkëpunim të bazuar në “interes të përbashkët dhe besim më të madh”.

Programi parashikon vazhdimin e dialogut strategjik për telekomunikacionin, energjinë, transportin, inteligjencën artificiale, diversifikimin e furnizimeve me gaz, gazin natyror të lëngshëm dhe bashkëpunimin në mbrojtje.

Lista synon rritjen e tregtisë dhe të investimeve në teknologji të avancuar, si dhe përfshirjen e diasporës serbe në SHBA në investime dhe shkëmbim njohurish.

“Marrëdhëniet me Amerikën do t’i ndërtojmë në plan afatgjatë, pavarësisht ndryshimeve politike afatshkurtra”, thuhet në dokument.

Bashkëpunimi në mbrojtje parashikohet krahas ruajtjes së neutralitetit ushtarak, të cilin lista e përcakton si orientim strategjik të Serbisë.

Kina: Zgjerim i partneritetit, me kushte për projektet

Lista Studentore premton zhvillimin e partneritetit strategjik me Kinën, të cilën e përshkruan si partnerin më të rëndësishëm tregtar të Serbisë në Azi.

Ajo synon zgjerimin e bashkëpunimit nga ekonomia, infrastruktura dhe industria drejt investimeve në teknologji të avancuar.

Megjithatë, për projektet e ardhshme vendos një kusht: respektimin e ligjeve vendore, standardeve mjedisore, të drejtave të punëtorëve dhe sigurisë në punë.

Xaviereff-Weckwerth pret që Pekini të tregohet pragmatik ndaj ndryshimit të pushtetit në Serbi. Sipas tij, një nga sfidat e Listës Studentore do të jetë ruajtja e rritjes ekonomike, duke trajtuar njëkohësisht problemet e trashëguara.

“Si të ruajnë atë që është e mirë dhe të heqin dorë nga ajo që është e keqe”, tha ai, duke përmendur projektet infrastrukturore dhe shumat e dyshimta të parave të lidhura me disa prej tyre.

Rajoni: Bashkëpunim dhe mbështetje për Republikën Sërpska

Programi premton marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim rajonal në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Një pjesë e konsiderueshme i kushtohet Republikës Sërpska, entitetit me shumicë serbe të Bosnje e Hercegovinës. Lista zotohet të mbrojë pozitën dhe kompetencat e saj kushtetuese, përfshirë të drejtën e vetos në institucionet e përbashkëta dhe pronën e saj.

Ajo kërkon gjithashtu rishqyrtimin e praktikës së përdorimit të kompetencave të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë dhe parashikon reagime diplomatike e juridike ndaj rasteve që i konsideron tejkalim të mandatit të tij.

Për Malin e Zi, programi synon përmirësimin e pozitës së serbëve dhe zgjidhjen e çështjes së shtetësisë së dyfishtë. Për Kroacinë, theksi vihet te të drejtat e pakicës serbe, identiteti i saj dhe pozita e të kthyerve.

Pavarësisht qëndrimeve të Listës Studentore për Kosovën dhe Republikën Sërpska, Xaviereff-Weckwerth sheh mundësi për marrëdhënie më të qëndrueshme në rajon.

“Mendoj se me këtë ndryshim pushteti, Serbia do të bëhet pak më e qëndrueshme në marrëdhëniet me shtetet e rajonit, përfshirë Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Kosovën”, tha ai.

Ai veçoi Malin e Zi, duke shprehur shpresën që përparimi i tij drejt BE-së të mos shihet si dështim i Serbisë dhe që nga Beogradi të mos ketë veprime që pengojnë këtë proces.

Gaza dhe reforma e diplomacisë

Në pjesën për Lindjen e Mesme, Lista Studentore thotë se Serbia nuk do të jetë bashkëpjesëmarrëse në atë që programi e cilëson si “përpjekje sistematike për shkatërrimin e popullit palestinez” nga Izraeli në Gazë. Ajo premton shtim të ndihmës humanitare për palestinezët.

Në drejtimin e diplomacisë, lista premton ndërprerjen e emërimeve partiake, nepotizmit dhe përzgjedhjes së personelit pa kualifikime e kritere të qarta.

Ajo zotohet ta zëvendësojë promovimin personal të politikanëve me përfaqësim institucional dhe afatgjatë të interesave të Serbisë. Evropaelire.org

Video

Del pas shtatë orësh nga SPAK biznesmeni Behgjet Pacolli.

Pas grumbullimit përpara Ministrisë së Arsimit, studentët dhe qytetarët protestues kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë në Tiranë, duke vijuar për të 14-ën ditë radhazi protestën kundër qeverisë.

Momenti kur policia qëllon me plumb gome në sy Erjon Vishkullin. Kujdes! Pamje të rënda.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme