Protestat e të rinjve në Itali pritet të vijojnë edhe në ditët në vijim, pavarësisht ndalimit të Youssef Siher, personit që autoritetet e konsiderojnë organizatorin e lëvizjes “17 Tetori”. Përmes mesazheve në rrjetet sociale, mbështetësit e lëvizjes kanë paralajmëruar mobilizime të reja më 30 tetor, duke deklaruar se do të rikthehen në sheshe me zemërim edhe më të madh.
“Por i dashur qeveri, nëse sheshet janë mbushur dhe rrugët janë pushtuar, kjo nuk ndodh për shkak të mendjes së një personi të vetëm, por për shkak të zemërimit të të gjithëve. Më 30 tetor do të dalim sërish në shesh, edhe më të zemëruar. Të gjithë të lirë! Youssef i lirë”, thuhet në mesazhin e shpërndarë nga mbështetësit e lëvizjes.
Sipas gazetës italiane “La Repubblica”, rreth 50 mijë persona dolën në protesta të shtunën e kaluar në qytete të ndryshme të Italisë, pavarësisht konfuzionit të krijuar nga mungesa e njoftimeve për vendet e takimit. Edhe pse faqet e lëvizjes në Telegram dhe Instagram kanë mbetur joaktive prej tri ditësh pas ndalimit të Siher, mobilizimi i të rinjve duket se nuk është shuar. Protestuesit arritën të organizoheshin në marshime të paautorizuara dhe në disa qytete pati përplasje me forcat e rendit.
Vëmendja e autoriteteve italiane është përqendruar tashmë te tubimet e paralajmëruara për të premten, më 30 tetor, të thirrura nga sindikata e pavarur USB. Shqetësimi lidhet veçanërisht me mundësinë e bashkimit të grupeve të ndryshme protestuese në qytete si Torino, Milano, Bolonja dhe Roma. Sipas vlerësimeve të shërbimeve të inteligjencës, në protesta mund të bashkohen anarkistë, grupe radikale, qendra sociale, studentë, aktivistë pro-palestinezë dhe të rinj që iu bashkuan “Lëvizjes 17 Tetori”.
Ndërkohë, ekspertët e Policisë Postare dhe të sigurisë kibernetike po monitorojnë aktivitetin në internet për të ndjekur organizimin dhe rritjen e anëtarësimeve në grupe të vjetra dhe të reja, përmes platformave Telegram, Signal dhe bisedave të enkriptuara.
Disa grupe kanë shprehur publikisht solidaritet me Youssef Siher përmes postimeve në Instagram. Mes tyre përmenden “Galassia antisionista”, shoqata të të rinjve të brezit të dytë të emigrantëve dhe “Potere al Popolo”. Në mesazhet e tyre ata ngrenë pyetjen nëse organizimi i një proteste dhe shprehja e kundërshtimit mund të konsiderohen vepra penale, duke deklaruar mbështetjen për Siher.
Autoritetet vijojnë të ndjekin zhvillimet, ndërsa protesta e paralajmëruar për 30 tetor pritet të jetë një tjetër provë për situatën e sigurisë në qytetet kryesore italiane.






















