Albert Sylaj, i dyshuari për vrasjen e kunatës së tij, Arlinda Zekaj, vijon të jetë në arrati edhe dy ditë pas ngjarjes. Policia e Kosovës ka kontrolluar banesën e tij, ku ka sekuestruar armë, municione dhe mjete të ftohta.
Sipas njoftimit të policisë, gjatë kontrollit janë gjetur një pushkë gjuetie, 153 fishekë, disa karikatorë dhe pajisje arme, tri thika, një bajonetë, 115 gëzhoja dhe një sëpatë. Hetimet për rastin vijojnë.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore e Pejës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për ish-bashkëshortin e viktimës, Jeton Sylaj, i cili dyshohet për veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”.
Sipas Prokurorisë, ndaj tij ekzistonte një urdhër që e ndalonte të ushtronte dhunë fizike apo psikike ndaj Arlindës, t’i pengonte lëvizjen, ta ofendonte, shqetësonte apo kërcënonte.
Pavarësisht këtij urdhri, ai dyshohet se ka ushtruar sërish dhunë psikologjike ndaj saj, duke përdorur fjalë kërcënuese. Gjithashtu, sipas organit të akuzës, dyshohet se ka marrë rrobat që viktima kishte vendosur në rrobalarëse dhe i ka hedhur në oborrin e shtëpisë.
Arlinda Zekaj dyshohet se u vra nga kunati i saj vetëm dhjetë minuta pasi policia e kishte shoqëruar në banesë, pas denoncimit për dhunë në familje ndaj ish-bashkëshortit.
Tre ditë përpara vrasjes, ajo u ishte drejtuar me letra kryeprokurores së Pejës, kryetarit të Gjykatës së Pejës dhe kryeprokurorit të shtetit, duke kërkuar mbrojtje dhe duke ngritur shqetësimin për neglizhencë në trajtimin e rastit të saj. Këto kërkesa, siç shkruante vetë Arlinda, ishin “shpresa e saj e fundit”.






















