Një person i mitur është qëlluar për vdekje nga policia serbe, pasi sulmoi me dy thika një efektiv të Xhandarmërisë që ruante ambasadën e Izraelit në Beograd. Ngjarja ndodhi rreth orës 00:15 të së mërkurës, ndërsa polici mbeti i plagosur lehtë në fytyrë.
Ministri i Brendshëm në detyrë, Ivica Daçiç, deklaroi se sulmuesi, identiteti i të cilit ende nuk është përcaktuar, dyshohet se vinte nga qyteti i Shabacit. Sipas tij, i mituri bërtiti “Allahu Akbar” gjatë sulmit dhe ishte identifikuar më parë nga shërbimet e sigurisë si mbështetës i organizatës terroriste Shteti Islamik. Autoritetet serbe e kanë cilësuar ngjarjen si sulm terrorist dhe kanë shpallur nivelin më të lartë të alarmit në vend.
Ministria e Jashtme izraelite konfirmoi se asnjë punonjës i ambasadës nuk është lënduar. Ky është sulmi i dytë ndaj personelit që ruan ambasadën izraelite në Beograd që prej qershorit 2024, kur një tjetër agresor plagosi një polic me hark. 






















