Në shtator të vitit 2005, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare nga Partia Socialiste dhe në prag të largimit të Fatos Nanos nga drejtimi i saj, Abdi Baleta botoi një shkrim me titull “Duhet frenuar në kohë yryshi Rama”. Në analizën e botuar në gazetat “Bota Sot” dhe “Rimëkëmbja”, Baleta paralajmëronte për ambiciet politike të Edi Ramës, atëherë kryetar i Bashkisë së Tiranës, dhe pasojat që, sipas tij, mund të sillte marrja e drejtimit të PS-së prej tij.
“Po ata që fërkojnë duart me ngazëllim se erdhi dita të shtrohet konkretisht çështja e largimit të Nanos nga kreu i PS-së, rrjedhimisht nga paraskena e politikës, nuk vënë re se vendin e Nanos po kërkon ta zejë një politikan i kalibrit shumë më të vogël se Nano, por me orekse e ambicie, me natyrë e mënyra veprimi shumë më problematike se të Nanos, kryetari socialist i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.”
Baleta shkruante se dëshira për largimin e Nanos kishte lënë në hije atë që ai e cilësonte kërcënimin e ambicieve të Ramës.
“Të rrëmbyer nga pasioni për të parë më në fund lamtumirën politike të Nanos këta nuk e shohin ose nuk duan ta shohin kërcënimin që po krijon ‘yryshi karrierist’ i Edi Ramës në politikën shqiptare.”
Sipas Baletës, ambicia politike e Ramës ishte shfaqur që në fillimet e pluralizmit dhe kishte kaluar nëpër rivalitetin me Sali Berishën, përpara se ai të afrohej me Fatos Nanon.
“E pra, Edi Rama qysh në fillimet e demokracisë shfaqi një etje të madhe karrieriste të trazuar me prepotencë politike e anarshizëm politik për të dalë në krye të lëvizjes demokratike. Nuk i eci sepse u ndesh me një rival me ambicie, këmbëngulje e karakter po aq agresiv në politikë, me Sali Berishën. Pastaj Edi pak nga pak u rras nën hijen e Nanos, lëshoi shtat politik nën këtë hije dhe tani po përpiqet të shtrijë mbi të hijen e vet.”
Në shkrim, Baleta vinte në dyshim edhe pretendimet për modernizimin e politikës nga Edi Rama.
“Edi Rama ende nuk ka treguar ndonjë shenjë modernizmi në drejtim të heqjes dorë nga ndonjë ambicje politike për të ndihmuar politikën shqiptare. Edi Rama u akuzua rëndë nga komisioni parlamentar shqiptar për bëmat e tij të dyshuara si veprimtari kriminale dhe nuk pati guximin të jepte dorëheqje që të përballej si duhet me akuzuesit.”
Në një pjesë tjetër, autori ndalej te dallimi mes largimit të Nanos dhe ardhjes së mundshme të Ramës, duke paralajmëruar se njëra nuk duhej të shndërrohej automatikisht në rrugë të hapur për tjetrin.
“Për këtë arsye është më e dëshirueshme që ‘yryshi i Ramës’ të mos përfitojë nga ‘vetëpërmbajtja e Nanos’ ose Nano të mos i hapë rrugën lehtë ‘yryshit të Ramës’.”
Baleta e përshkruante kështu strategjinë politike të Ramës për marrjen e drejtimit të socialistëve:
“Rama në intervistën e tij nuk ka shpalosur as logjikë e filozofi politike, as ndonjë parimësi politike. Ai ka shpalosur vetëm një pragmatizëm të banalizuar politik: të bëhemi të gjithë bashkë sa të bëhem unë kryetar.”
Ai kundërshtonte edhe argumentin se ambicia për të marrë drejtimin e një partie ishte e mjaftueshme për të justifikuar mënyrën se si Rama po vepronte.
“Gazetarët që i bëjnë jehohë karrierizmit të Ramës e përligjin këtë ‘yrysh karrierist’ me një arsyetim pa kripë se Rama, si çdo njeri, ka të drejtë të kërkojë të bëhet kryetar i një partie. Rama PS-në nuk e do një parti të pastruar e lëmuar, por një mishmash e një organizëm gjithë gunga e të çara, do sërish një bashkëjetesë të grindurish, vetëm që të kenë sërish mundësinë të marrin pushtet.”
Në krahasimin mes Ramës, Berishës dhe Nanos, Baleta shprehej:
“Rama në karrierizmin politik ngjan më shumë me Berishën e djeshëm e të tanishëm se me Nanon e derisotëm. Pavarësisht se hiqet si politikan i tipit modern perëndimor, Rama është shumë më larg se Nano nga ky tip politikani. Pavarësisht nga metodologjia e lëshuar dhe pa konture të qëndrueshme që përdor Nano në politikë, Fatosi është treguar politikan shumë më liberal e modernizues i partisë se Berisha e Rama.”
Më tej, ai paralajmëronte për ndikimin që do të kishte drejtimi i Partisë Socialiste nga Rama.
“Me një kryetar si Rama në vend të Nanos e majta shqiptare do të humbte shumë nga ato ndryshime që realizoi nën presionin e zhvillimeve demokratike gjatë 15 viteve të fundit. Rama në krye të PS-së do t’i jepte jo vetëm kësaj partie, por tërë politikës shqiptare, një hije më të theksuar enverizmi se ajo që ka ruajtur PS nën Nanon deri tani.”
Baleta e formulonte edhe më drejtpërdrejt qëndrimin e tij:
“Rama në krye të PS do të ishte kërcënim për politikën shqiptare. Këtë duket se e kuptojnë mjaft socialistë që e kanë përcjellë me indiferentizëm shpërthimin e Ramës në ‘ZP‘ më 26 gusht 2005.”
Në të njëjtën analizë, ai përmendte edhe rolin e Fatos Nanos në kufizimin e hapësirës politike të Ramës gjatë fushatës zgjedhore.
“Nano duket e njeh rrezikun Rama në politikë, prandaj edhe ia ngushtoi shumë hapësirën e veprimit gjatë fushatës zgjedhore, që të mos grumbullonte kapital politik për ta përdorur në ofensivën e tanishme.”
Një nga paralajmërimet më të forta të shkrimit lidhej me ndryshimin e rivalitetit politik në Shqipëri.
“Përpjekjet për ta kthyer betejën Nano-Berisha në një betejë Rama-Berisha janë një paralajmërim për ditë më të këqija në politikën shqiptare.”
Në përfundim, Baleta rikthente një debat të mëparshëm me Rexhep Qosjen mbi politikanët që kërkojnë të qëndrojnë ose të vijnë në pushtet me çdo kusht.
“Dikur Rexhep Qosja shkroi se ai politikan që synon të qëndrojë me çdo kusht në pushtet, duhet larguar me çdo kusht nga pushteti. Me këtë sulmonte Berishën pak kohë pasi ishte bërë president. Për të kundërshtuar këtë sulm të Rexhepit ndaj Saliut në atë kohë kam shkruar se ai politikan që kërkon me çdo kusht të vijë në pushtet duhet penguar me çdo kusht.”
Dhe këtë argument e lidhte drejtpërdrejt me ambiciet e Ramës:
“Tani duhet thënë: duhet penguar me çdo kusht të vijë në pushtet ambiciozi Edi Rama që kërkon me çdo kusht të zerë kreun e PS-së e të qeverisjes më vonë. Këtë e kanë në dorë tani për tani socialistët.”
Shkrimi mbyllej me një paralajmërim për përgjegjësinë e Fatos Nanos:
“Ka përgjegjësi të veçantë Fatos Nano nëse largimin e tij e bën me atë moskokëçarjen që e karakterizon dhe i lë terrenin hapur ambicjeve të shfrenuara të politikanëve me karakter të rrezikshëm politik.”
Analiza e Abdi Baletës u botua në shtator 2005, pak përpara se Edi Rama të merrte drejtimin e Partisë Socialiste. Në vitin 2013, Rama u bë kryeministër. Njëzet e një vjet pas publikimit, VNA risjell këto pasazhe si pjesë të debatit politik të asaj kohe dhe si një dokument që mund të rilexohet në dritën e zhvillimeve të mëvonshme.
Burimi: Abdi Baleta, “Duhet frenuar në kohë yryshi Rama”, botuar më 1 dhe 2 shtator 2005 në gazetën “Bota Sot” dhe më 13 shtator 2005 në gazetën “Rimëkëmbja”. Citimet janë ruajtur sipas tekstit të sjellë, përfshirë formulimet origjinale të autorit.






















