
Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku përballet me një sërë akuzash penale, që lidhen me dyshimet për shkelje të barazisë në tendera publikë, korrupsion, fshehje të pasurisë dhe pastrim parash.
Sipas akuzave të ngritura ndaj saj, Balluku dyshohet se ka kryer veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, në nëntë raste të ndryshme.
Gjithashtu, ish-ministrja e Infrastrukturës akuzohet për “Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, si dhe “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë”.
Një tjetër akuzë lidhet me deklarimin e pasurisë. Balluku dyshohet se ka kryer në dy raste veprën penale të “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurive dhe interesave privatë”.
Dosja përfshin gjithashtu akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”, në rrethana cilësuese, pasi dyshohet se kjo vepër është kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.
Akuzat përfshijnë disa vepra penale të lidhura me ushtrimin e funksioneve publike dhe administrimin e pasurisë, ndërsa përgjegjësia penale e ish-zëvendëskryeministres mbetet për t'u përcaktuar nga drejtësia.






















