
Policia e Kosovës ka arrestuar Albert Sylajn, personin e dyshuar për vrasjen e Arlinda Zekajt, ngjarje e rëndë e ndodhur më 25 tetor në fshatin Vitomiricë të Pejës.
Arrestimi i tij është realizuar mbrëmjen e së martës, rreth orës 23:40, në Deçan, pas një operacioni policor dhe disa ditësh kërkimesh për lokalizimin e të dyshuarit.
Sylaj dyshohet se ka vrarë me sëpatë ish-kunatën e tij, Arlinda Zekaj, 49 vjeçe. Pas krimit, ai ishte larguar nga vendngjarja, ndërsa autoritetet kishin shpallur kërkimin e tij për veprën penale të vrasjes së rëndë.
Sipas Policisë së Kosovës, kapja e të dyshuarit u bë e mundur falë veprimeve intensive operative dhe hetimore, si dhe bashkëpunimit me qytetarët, të cilët ndihmuan në lokalizimin e tij.
Ngjarja e rëndë ka shkaktuar reagime në Kosovë, ndërsa qytetarë të shumtë kanë protestuar në Pejë, duke kërkuar drejtësi për viktimën dhe përgjegjësi nga institucionet.
Autoritetet kanë falënderuar qytetarët për bashkëpunimin, ndërsa kanë bërë të ditur se procedurat e mëtejshme do të zhvillohen në koordinim me organet e drejtësisë, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit.






















