
Blloku politik i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, kryeson rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare në Izrael, duke siguruar 55 mandate, kundrejt 49 deputetëve të opozitës.
Sipas të dhënave paraprake, pas numërimit të rreth 57% të kutive të votimit, partitë që mbështesin Netanyahun ruajnë avantazhin ndaj kundërshtarëve politikë, ndërsa partitë arabe kanë siguruar deri tani 16 mandate.
Megjithatë, pavarësisht epërsisë, Netanyahu nuk ka arritur ende shumicën e nevojshme prej 61 deputetësh në parlamentin izraelit, Knesset, i cili përbëhet nga 120 vende. Kjo situatë lë të hapur mundësinë e negociatave mes forcave politike për krijimin e një koalicioni qeverisës.
Partia Likud e Netanyahut rezulton forca më e madhe politike, ndërsa rivali i tij kryesor, Gadi Eisenkot, drejtues i partisë Yashar, synon të bashkojë forcat opozitare për të krijuar një alternativë qeverisëse.
Zgjedhjet janë shoqëruar me një pjesëmarrje të lartë të qytetarëve, e cila arriti në 77.7%, niveli më i lartë që prej vitit 1999.
Numërimi i votave vijon dhe rezultatet përfundimtare pritet të përcaktojnë ekuilibrat e rinj politikë në Izrael. Nëse asnjëra palë nuk arrin të sigurojë mbështetjen e nevojshme parlamentare, vendi mund të përballet me negociata të zgjatura për formimin e qeverisë së ardhshme.






















