Bota 27 October 2026, 21:14 Nga VNA

Trump vë në dyshim zgjedhjet në Brazil: Procesi ishte i manipuluar, mister vendndodhja e Flávio Bolsonaros

Ndaje në Whatsapp
Trump vë në dyshim zgjedhjet në Brazil: Procesi ishte i

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka vënë në dyshim legjitimitetin e zgjedhjeve presidenciale në Brazil, duke pretenduar se procesi zgjedhor ishte i manipuluar. Deklaratat e tij vijnë pas fitores së presidentit Luiz Inácio Lula da Silva ndaj kandidatit të djathtë Flávio Bolsonaro, vendndodhja e të cilit mbetet e paqartë dy ditë pas përfundimit të balotazhit.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, autoritetet braziliane kanë anuluar pasaportat e Flávio Bolsonaros, djalit të ish-presidentit Jair Bolsonaro, ndërsa janë shtuar dyshimet se ai mund të jetë larguar nga vendi drejt Shteteve të Bashkuara.

Një burim policor i cituar nga agjencia franceze e lajmeve AFP ka konfirmuar anulimin e pasaportave, por ka theksuar se nuk ekziston asnjë regjistrim zyrtar që të vërtetojë largimin e tij nga territori brazilian.

Ndërkohë, autoritetet argjentinase kanë përgënjeshtruar raportimet për një hyrje të mundshme të Bolsonaros në Argjentinë. Nga ana tjetër, gazeta braziliane Metrópoles, duke iu referuar burimeve pranë familjes Bolsonaro, raporton se ai mund të ketë udhëtuar drejt SHBA-së.

Dalja e fundit publike e senatorit 45-vjeçar është regjistruar pasditen e së hënës, kur përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale njoftoi se autoritetet i kishin ndaluar largimin nga Brazili dhe e kishin urdhëruar të dorëzonte pasaportat.

Gjykata Supreme e Brazilit kishte vendosur një afat prej 24 orësh për dorëzimin e dokumenteve të udhëtimit pranë policisë. Megjithatë, afati përfundoi pa u zbatuar urdhri, duke shtuar pikëpyetjet mbi vendndodhjen e tij.

Pas humbjes në balotazhin presidencial të së dielës, Flávio Bolsonaro nuk e ka njohur rezultatin e zgjedhjeve.

Zhvillimet në Brazil kanë shkaktuar reagime edhe në Uashington. Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar ashpër procesin zgjedhor, duke pretenduar se votimet ishin manipuluar.

I pyetur për rezultatin e zgjedhjeve, Trump i cilësoi ato si të tmerrshme, ndërsa ngriti pikëpyetje edhe mbi vendimin për zgjatjen me dy orë të orarit të votimit, të cilin e konsideroi të pazakontë.

Megjithatë, pretendimet për manipulim të procesit zgjedhor nuk janë shoqëruar me prova që të vërtetojnë parregullsi të tilla.

Sipas rezultateve të shpallura, presidenti Luiz Inácio Lula da Silva ka fituar një mandat të ri në krye të Brazilit, duke siguruar rreth 51,8% të votave, kundrejt 48,2% të marra nga rivali i tij, senatori i djathtë Flávio Bolsonaro.

 

Lexo gjithashtu

Video

Një tornado e fuqishme ka goditur një kantier ndërtimi në lagjen Fevzi Çakmak të Antalias, në Turqi, duke shkaktuar vdekjen e katër punëtorëve dhe plagosjen e një tjetri. Sipas raportimeve, erërat e forta shkatërruan dy kontejnerë ku strehoheshin punëtorët, duke i hedhur pesë prej tyre jashtë. Dy humbën jetën në vendngjarje, ndërsa dy të tjerë ndërruan jetë në spital.

Protesta e studentëve kundër qeverisë ka hyrë në ditën e 15-të, ndërsa protestuesit kanë djegur sërish koshat e mbeturinave dhe kanë hedhur lëndë plasëse para Ministrisë së Arsimit.

Protesta hyn në ditën e 15-të, studentët e Mjekësisë protestojnë para Ministrisë së Arsimit.

Imunitet si deputetët/ Pse po “blindohet” Guvernatori i Bankës së Shqipërisë?

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme