Bota 27 October 2026, 18:13 Nga VNA

Studentët francezë nuk tërhiqen, u bëjnë thirrje nxënësve të vazhdojnë bllokimin e shkollave: Duam masa, jo gjysmëmasa, qeveria detyrohet të negociojë

Ndaje në Whatsapp
Studentët francezë nuk tërhiqen, u bëjnë thirrje

Lëvizja e protestave studentore në Francë nuk ka ndërmend të ndalet, pavarësisht ofertës së qeverisë për ndryshime në sistemin arsimor. Drejtuesit e protestave u kanë bërë thirrje nxënësve të shkollave të mesme të vazhdojnë bllokimin e institucioneve arsimore dhe pjesëmarrjen në demonstratat në rrugë, derisa të plotësohen kërkesat e tyre.

Sipas një raportimi të gazetës britanike The Guardian, të publikuar më 26 tetor, përfaqësuesit e nxënësve zhvilluan bisedime me qeverinë franceze, e cila propozoi kufizimin e numrit të nxënësve në disa klasa dhe rishikimin e sistemit të aplikimeve për në universitet.
Por propozimet nuk i kanë bindur organizatorët e protestave.
“Sot jemi në tryezën e negociatave dhe mund të negociojmë me qeverinë. Jemi në një përballje forcash dhe duhet të vazhdojmë mobilizimin për të realizuar sa më shumë nga kërkesat tona”, deklaroi për televizionin France Info, Pier Surza, përfaqësues i organizatës së nxënësve Les Lycéens.

“Duam masa, jo gjysmëmasa”, theksoi ai.
Protestat nisën në shtator me bllokimin e shkollave të mesme, si reagim ndaj mungesës së mësuesve, gjendjes së ndërtesave shkollore dhe problemeve të tjera në sistemin arsimor.

Pas më shumë se pesë javësh, lëvizja është shndërruar në një nga mobilizimet më të mëdha të të rinjve në Francë gjatë viteve të fundit.
Protestave u janë bashkuar edhe sindikatat dhe qytetarë që kundërshtojnë rritjen e kostos së jetesës. Demonstratat masive të së shtunës kanë zgjeruar përmasat e lëvizjes, duke e kthyer një protestë të nisur në shkolla në një përballje më të gjerë me qeverinë.

Pavarësisht negociatave dhe propozimeve të para, drejtuesit e protestave këmbëngulin se bllokimet dhe demonstratat duhet të vazhdojnë, derisa autoritetet të ofrojnë zgjidhje konkrete për mungesën e mësuesve, kushtet e shkollave dhe të ardhmen arsimore të të rinjve.

Lexo gjithashtu

Video

Protesta e studentëve kundër qeverisë ka hyrë në ditën e 15-të, ndërsa protestuesit kanë djegur sërish koshat e mbeturinave dhe kanë hedhur lëndë plasëse para Ministrisë së Arsimit.

Protesta hyn në ditën e 15-të, studentët e Mjekësisë protestojnë para Ministrisë së Arsimit.

Imunitet si deputetët/ Pse po “blindohet” Guvernatori i Bankës së Shqipërisë?

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme