Bota 27 October 2026, 07:44 Nga VNA

Kush është njeriu që mundi të djathtën braziliane me armët e saj? Nga shitës biletash autobusi në arkitekt të fitores së Lulës

Ndaje në Whatsapp
Kush është njeriu që mundi të djathtën braziliane me

 

Mbajeni mend këtë emër: André Janones. Nuk është një yll i Hollivudit, as një miliarder i teknologjisë dhe as një politikan tradicional. Është njeriu që kuptoi se për të fituar zgjedhjet në Brazil nuk mjaftonte të mbusheshin sheshet. Duhej fituar edhe beteja në telefonat e miliona brazilianëve. Dhe pikërisht aty, në territorin ku e djathta e Jair Bolsonaros kishte dominuar për vite me radhë, ai ndërtoi një nga armët më të fuqishme të fushatës së Luiz Inácio Lula da Silvës.

Sipas një profili të publikuar nga gazeta italiane La Repubblica, Janones ishte një nga figurat vendimtare të fitores së Lulës në zgjedhjet presidenciale të tetorit 2026. Deputeti brazilian, i lindur në vitin 1984, krijoi kanalin në WhatsApp të quajtur “Ushtria e Lulës”, i cili më 23 tetor numëronte 10,5 milionë abonentë. Një rrjet gjigant komunikimi, i aftë të shpërndante mesazhe politike me shpejtësi dhe të kundërshtonte në kohë reale sulmet e kundërshtarëve.

Vetë Lula e përqafoi gjatë festimeve të fitores në San Paulo dhe e falënderoi publikisht: “Dua të falënderoj Andrén. Ai pati një rol themelor në rezultatin e kësaj nate”.

Por historia e Janones nuk fillon në rrjetet sociale. Dhe pikërisht këtu ngjashmëria me Lulën bëhet interesante.

Ai lindi në Ituiutaba, në shtetin Minas Zherais, në një familje të varfër. Për të shkuar në shkollë ecte gjashtë kilometra në këmbë. Më vonë fitoi një bursë për të studiuar drejtësi dhe punoi si shitës biletash në autobusë për të përballuar jetesën. U diplomua në vitin 2008 dhe hapi një zyrë avokatie në qytetin e lindjes, ku për dhjetë vjet mbrojti falas familjet e varfra.

Në politikë hyri përmes një rruge po aq të pazakontë. Në vitin 2018 u bë i njohur falë videove që publikonte gjatë grevës së transportuesve dhe u zgjodh deputet. Gjatë pandemisë u angazhua për ndihmën ekonomike ndaj familjeve në vështirësi, ndërsa në vitin 2022 iu bashkua fushatës së Lulës kundër Bolsonaros.

Megjithatë, ishte fushata e vitit 2026 ajo që e shndërroi në një fenomen politik. Janones studioi mënyrën si e djathta përdorte rrjetet sociale, mesazhet virale, videot e shkurtra dhe reagimet e menjëhershme. Pastaj i përdori të njëjtat teknika në shërbim të së majtës. Nuk u përpoq të krijonte një komunikim më elegant, por një komunikim që arrinte më shpejt te njerëzit.

Në një nga fjalimet e tij më të shpërndara, ai deklaroi: “Detyra e parë ishte të merrnim rrugët dhe sheshet. Dhe i morëm. E dyta ishte të rimerrnim rrjetet sociale. Dhe ia dolëm. Tani është koha të marrim vendin dhe të rifitojmë ngjyrat verdhë e gjelbër”.

Pastaj bëri një gjest simbolik. Hoqi bluzën e zezë dhe veshi fanellën e kombëtares braziliane të futbollit, të njëjtën që mbështetësit e Bolsonaros e kishin kthyer në simbol të tubimeve të tyre. Janones po përpiqej t’i merrte kundërshtarit jo vetëm hapësirën digjitale, por edhe simbolet kombëtare.

Tani emri i tij përmendet për një rol në qeverinë e re. Lula ka paralajmëruar se komunikimi digjital do të ketë vend të rëndësishëm në administratën e tij dhe se qytetarët do të përfshihen më shumë në vendimmarrje.

Por në rrjetet sociale ambicia ka shkuar edhe më larg. Kanë nisur të qarkullojnë imazhe të Janones me shiritin presidencial dhe parashikime që e vendosin në garën e vitit 2030.

Nga një fëmijë që ecte gjashtë kilometra për të shkuar në shkollë, te njeriu që ndihmoi Lulën të fitonte betejën digjitale kundër Bolsonaros, André Janones është kthyer në një nga emrat më të përfolur të politikës braziliane.

Dhe ndërsa Lula feston fitoren, në Brazil ka nisur të qarkullojë një pyetje tjetër: a është njeriu që e ndihmoi të rikthehej në pushtet edhe një nga pretendentët për ta pasuar?

Burimi: La Repubblica, Laura Lucchini, 27 tetor 2026.

Video

Këto janë momentet e tërheqjes së forcave të policisë serbe nga qendra e Beogradit, ndërsa mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë për të festuar fitoren zgjedhore të Listës Studentore. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë njësi policore që largohen nga zona qendrore e kryeqytetit serb, mes brohoritjeve të qytetarëve të mbledhur pranë institucioneve shtetërore.

Një aksident është regjistruar në Brazil, ku një tren është përplasur me një vinç që ishte rrëzuar mbi shinat hekurudhore. Sipas informacioneve paraprake, vinçi ishte rrëzuar në trasenë ku po lëvizte treni, duke shkaktuar përplasjen. Si pasojë e incidentit, operatori i vinçit ka mbetur i plagosur.

Del pas shtatë orësh nga SPAK biznesmeni Behgjet Pacolli.

Pas grumbullimit përpara Ministrisë së Arsimit, studentët dhe qytetarët protestues kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë në Tiranë, duke vijuar për të 14-ën ditë radhazi protestën kundër qeverisë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme