Më 25 tetor 2026 Aleksandër Vuçiç, pasi kish dhënë dorëheqje nga posti i presidentit të Serbisë, pranon humbjen në zgjedhjet e parakohshme, përballë jo opozitës së përhershme në Serbi (që në këto zgjedhje është shuar pothuaj), por përballë Lëvizjes Studentore. Ka një lajm të mirë dhe një lajm të keq në këtë ngjarje. Lajmi i mirë lidhet me tronditjen e udhëheqësve autokratë të ngulur në karrige për kohë të gjatë. Lajmi i keq lidhet me frymëmarrjen e shovinizmit serb në rajon. Pra, kjo ngjarje përmban në vetvete dhe dy përmasa shqiptare.
Përmasa e parë është demokratike, lidhet drejtpërdrejt me ngjashmërinë me Shqipërinë, por në rrafshe paralele.
Serbia dhe Shqipëria janë nën pushtet individësh, që kanë përqendruar jetën ekonomike e shoqërore në duart e tyre prej më shumë se një dekadë e që kanë prodhuar regjime korrupsioni, banditizmi, mungese lirie e demokracie, mungese perspektive e shteti të së drejtës, që i ka çuar këto vende në ngërç dhe përshpejtuar emigrimin. Rama dhe Vuçiç njëjtë kanë prodhuar marketing të shfrenuar për kultin e tyre; njëjtë pretendojnë se kanë fituar me vota, megjithëse zgjedhjet janë kryer në kushte regjimesh me mekanizma kontrollues e blerës të votave. Të dy të pasfiduar nga brenda partive të tyre dhe me opozita anemike që më tepër ngjajnë si nëpunës të vegjël të udhëheqësve fuqiplotë.
Të dy patën sfidë lëvizjet rinore / studentore, ndaj të cilëve përdorën pa kursim dhunë policore dhe akuzuan fuqitë e huaja për nxitje të trazirave (pavarësisht orientimit gjeografik të armikut të jashtëm që zgjodhi secili – me të vetmen ngjashmëri që në të dyja lëvizjet studentore pushtetet përkatëse besonin se kishin dorë shqiptarët e Kosovës. Madje Shqipëria kaloi në ekstrem duke shpallur persona non grata pjesëmarrës në këto protesta).
Njëjtësi e pandarë dhe e shprehur me arrogancë në pamjen miqësore-vëllazërore që demonstronin në publik, deri më 25 tetor, kur paralelizmi thyhet, veç për pak kohë, pasi Vuçiçi humbi përballë lëvizjes studentore.
Prandaj, fitorja e lëvizjes studentore në Serbi është lajm i mirë për demokracinë në rajon, sepse hap rrugën e thyerjes së regjimeve autokrate.
E nxitur nga një ngjarje që në rrethana të tjera do të mbetej thjesht ngjarje aksidentale me përfundim tragjik, protesta studentore në Serbi tregoi se një pushtet i konsoliduar, që kontrollon me dorë të fortë institucionet dhe ushtron ndikim mbi hapësirën publike, nuk është i paprekshëm. Kur shoqëria mobilizohet, protesta zhvillohet me këmbëngulje, pa kompromis, kur shoqëria fillon dhe kërkon llogari dhe arrin ta shndërrojë protestën në votë, pushteti dhe koka e atij pushteti rrëzohet.
Ky është një mesazh që rezonon edhe në Shqipëri. Vuçiçi ra nga mobilizimi studentor dhe i shoqërisë. Ramës iu hoq një model të ngjashëm nga rajoni, që ekspozon edhe më tepër regjimin e stonuar të tij. Njëherësh, ngjarja në Serbi rithekson nevojën për politikë të re, jashtë kontureve të opozitave patericë të pushtetit e të blerë me poste apo privilegje biznesore. Opozita tradicionale në Serbi doli nga loja, sepse ishte pjesë e konturit të pushtetit. Edhe në këtë aspekt ekspozohet përsëri stonimi dhe ngërçi që ka opozita shqiptare.
Përmasa e dytë është kombëtare dhe gjeopolitike. Në të gjithë rrugëtimin e përbashkët Rama dallonte nga Vuçiç në një element thelbësor: pozicionimin ndaj nacionalizmit. Vuçiç në çdo rrethanë ruante pozicionin e shovinistit dhe shprehës i përsosur i fiksimit serb mbi zotërimin e Kosovës – pra shfaqej me këmbëngulje nacionalist i mëpërtejshëm. Rama, në të kundërt, në çdo rast ka luajtur rolin e komunistit internacionalist – tipike për vijën ideologjike të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe të Enver Hoxhës – që dorëzon interesat kombëtare dhe veçanërisht ato të Kosovës në favor të vëllazërimit me Serbinë. Rama shfaqet nacionalist me minuse të theksuara. Për t´u bashkuar të dy në këmbënguljen e bllokimit dhe krijimit të ngërçeve për Kosovën. Mjafton të përmendim nismat e Ballkanit të Hapur dhe të shkëmbimit territorial, nisma-kurthe në të cilat për fat të keq ranë edhe politikanë të lartë në Kosovë, që i shtuan vështirësitë e konsolidimit të shtetit të Kosovës dhe prodhuan krizë të tejzgjatur institucionesh.
Por humbja e Vuçiçit nuk nënkupton automatikisht ndryshimin e qëndrimeve të Serbisë ndaj Kosovës. Lëvizja studentore nuk ka dhënë asnjë shenjë se kërkon shkëputjen nga trashëgimia nacionaliste, as heqjen dorë nga pretendimet ndaj shtetit të Kosovës. Përkundrazi, i theksojnë ato më fort sepse janë forcë që kërkon të ushtrojë ndikim mbi popullin e vet të mbrujtur me mitin Kosova zemra e Serbisë. Është e pritshme që situata të vështirësohet për Kosovën përballë shovinistëve të rinj, ndaj të cilëve fillimisht mekanizmat ndërkombëtarë do të jenë më të kursyer në kritika e presione. Përkundrazi, mund të priten edhe përkëdheli ndërkombëtare në emër të konsolidimit të një pushteti të ri.
Për shqiptarët, entuziazmi demokratik nuk duhet të kthehet në naivitet politik. Kjo do të thotë që shqiptarët duhet të bëhen më strategjikë në raport me ndërkombëtarët për mbrojtjen e interesave të tyre. Kjo do të thotë që shqiptarët në të gjitha anët e kufirit, por më së pari Shqipëria e Kosova duhe të përshpejtojnë proceset përbashkuese në terren; të lidhin ngushtë ekonomitë e tyre; administratat; të forcojnë koordinimin diplomatik, bashkëpunimin politik dhe sigurinë e përbashkët, të përkrahen reciprokisht, me sinqeritet e pa kushte në arenën ndërkombëtare. Ballkani i hapur duhet të zëvendësohet menjëherë me konceptin e territorit të hapur të të gjithë shqiptarëve për t´u përballur bashkërisht në sfidat që I presin.
Por kjo strategji përbashkuese shqiptare nuk arrihet me Ramën në krye të vendit. Ai në mënyrë konsekuente ka mbjellur përçarjen dhe thellimin e dasive. Prandaj protesta në Shqipëri e ka të domosdoshme të forcojë karakterin dhe mesazhet nacionaliste, të cilat në mënyrë konstante janë nëmur nga Rama por edhe e gjithë pjesa tjetër e politikës së strehuar në partitë opozitare. Kjo protestë që nxitjen e mori jo nga një aksident tragjik si në Serbi, por nga një ngjarje shumë më madhore si abuzimi i pushtetit me territorin e vendit, nuk duhet ngurojë të shprehet fort për interesat kombëtare.
Kjo është një tjetër arsye e fortë se përse Rama duhet të pasojë Vuçiçin. Duke qenë siç duket i qartë me fatin që e priste më 25 tetor, Vuçiçi e dha sinjalin e humbjes më të gjerë tek i kujtoi mikut të tij Edi se u vonua me studentët dhe nuk mund të fitojë zgjedhjet e parakohshme. Vlerësimi i Edit si pasuri për Shqipërinë më tepër i përngjan vlerësimit madhështor që bëri ministri i jashtëm izraelit Gideon Saar për jashtëzakonshmërinë e Edit. Të tilla vlerësime për udhëheqësit shqiptarë rëndom janë lëshuar kur Shqipërisë i janë gllabëruar copëza apo pasuri. Mesazhi i vërtetë i Vuçiçit duhet se është te humbja që e pret edhe Edin e Shqipërisë.
Prandaj, shqiptarët kanë arsye të gëzohen për fitoren e qytetarëve ndaj pushtetit të pakontrolluar, por edhe detyrimin të mos ngatërrojnë ndryshimin e qeverisjes me ndryshimin e politikës kombëtare serbe. Qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës mbetet një provë që ende nuk është kaluar. Por nuk duhet të pritet kjo provë për të rrëzuar Ramën.






















