Bota 27 October 2026, 07:44 Nga VNA

Franca mes revoltës dhe shtetrrethimit policor: Studentët nuk dorëzohen, qeveria ndalon protestat, por gjykatat i prishin llogaritë Makronit

Ndaje në Whatsapp
Franca mes revoltës dhe shtetrrethimit policor: Studentët nuk

 

Franca vijon të përballet me një valë protestash studentore që kanë përfshirë Parisin dhe qytete të tjera, ndërsa qeveria e Emanuel Makronit ka ashpërsuar masat policore për të kontrolluar demonstratat. Ndalimet e tubimeve, kontrollet parandaluese, mobilizimi i forcave speciale dhe përplasjet mes protestuesve dhe policisë kanë krijuar një situatë të tensionuar, në të cilën tashmë kanë ndërhyrë edhe gjykatat për të shqyrtuar ligjshmërinë e kufizimeve.

Protestat, të cilat vijojnë prej disa javësh, kanë në qendër pakënaqësitë e studentëve ndaj politikave arsimore dhe kërkesat për ndryshime në sistemin e arsimit. Demonstratat janë shoqëruar me incidente, përplasje me forcat e rendit dhe ndalime të shumta, duke e shtyrë Ministrinë e Brendshme të ndërmarrë masa më të forta sigurie. Autoritetet kanë kufizuar tubimet në zona të caktuara, kanë shtuar kontrollet policore dhe kanë mobilizuar njësi të specializuara për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës.

Situata u tensionua veçanërisht gjatë protestave të 24 tetorit, kur në disa qytete u regjistruan përplasje mes demonstruesve dhe policisë. Autoritetet franceze kanë argumentuar se kufizimet janë të nevojshme për të mbrojtur rendin publik dhe për të parandaluar dëmtimin e pronës, ndërsa masat parandaluese kanë ngritur shqetësime për respektimin e së drejtës së tubimit.

Por vendimet e policisë nuk kanë mbetur jashtë kontrollit të drejtësisë. Më 22 tetor, Gjykata Administrative e Parisit detyroi Prefekturën e Policisë të publikonte urdhrat për ndalimin e protestave të paktën 12 orë përpara hyrjes së tyre në fuqi, në mënyrë që qytetarët të kishin mundësi t’i kundërshtonin në gjykatë. Po atë ditë, drejtësia administrative rrëzoi ndalimin e një demonstrate në kryeqytet, duke lejuar zhvillimin e saj nën mbikëqyrjen e policisë.

Ndërhyrje të ngjashme janë regjistruar edhe jashtë Parisit. Në Strasburg, gjykata pezulloi ndalimin e grumbullimeve pranë 15 shkollave të mesme, por lejoi përdorimin e dronëve për mbikëqyrje. Në Nansi, drejtësia pezulloi ndalimin e pajisjeve mbrojtëse personale, ndërsa la në fuqi kufizimet ndaj demonstratave të 24 tetorit. Vendimet tregojnë se gjykatat po shqyrtojnë veçmas masat e sigurisë, duke vlerësuar nëse ato janë të nevojshme dhe proporcionale me rrezikun.

Paralelisht me masat policore, qeveria franceze ka nisur negociatat me përfaqësuesit e studentëve. Të hënën, më 26 tetor, autoritetet paraqitën një paketë propozimesh që përfshin kufizimin e numrit të nxënësve në disa klasa, financime për rinovimin e shkollave dhe ndryshime në sistemin e pranimeve universitare, të cilin studentët e konsiderojnë të padrejtë.

Megjithatë, përfaqësuesit e lëvizjes studentore deklaruan pas takimit se propozimet nuk i përmbushin të gjitha kërkesat dhe se protestat do të vazhdojnë. Qeveria, nga ana tjetër, ka paralajmëruar për rrezikun e incidenteve të reja gjatë ditëve në vijim, veçanërisht në prag të festimeve të Hallouinit.

Franca ndodhet kështu përballë një përplasjeje që zhvillohet njëkohësisht në rrugë, në tryezën e negociatave dhe në gjykata. Studentët kërkojnë ndryshime në politikat arsimore, qeveria përpiqet të kontrollojë protestat përmes masave të sigurisë, ndërsa drejtësia po përcakton kufijtë ligjorë të ndërhyrjes policore. Protestat nuk janë ndalur dhe, pavarësisht negociatave, tensionet mbeten të larta.

Video

Këto janë momentet e tërheqjes së forcave të policisë serbe nga qendra e Beogradit, ndërsa mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë për të festuar fitoren zgjedhore të Listës Studentore. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë njësi policore që largohen nga zona qendrore e kryeqytetit serb, mes brohoritjeve të qytetarëve të mbledhur pranë institucioneve shtetërore.

Një aksident është regjistruar në Brazil, ku një tren është përplasur me një vinç që ishte rrëzuar mbi shinat hekurudhore. Sipas informacioneve paraprake, vinçi ishte rrëzuar në trasenë ku po lëvizte treni, duke shkaktuar përplasjen. Si pasojë e incidentit, operatori i vinçit ka mbetur i plagosur.

Del pas shtatë orësh nga SPAK biznesmeni Behgjet Pacolli.

Pas grumbullimit përpara Ministrisë së Arsimit, studentët dhe qytetarët protestues kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë në Tiranë, duke vijuar për të 14-ën ditë radhazi protestën kundër qeverisë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme