Protesta e së dielës, 25 tetor, nisi e qetë, por u përshkallëzua gjatë pasdites dhe mbrëmjes në përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, duke e kthyer sërish qendrën e Tiranës në një zonë tensioni.
Në ditën e 13-të të protestave, të rinjtë u grumbulluan fillimisht përpara Ministrisë së Arsimit, ndërsa një pjesë e protestuesve iu drejtuan Kryeministrisë, ku grumbulluan dhe dogjën karriget e vendosura nga Edi Rama si ftesë për dialog.
Situata u tensionua fillimisht pranë Ministrisë së Arsimit, ku disa protestues hodhën gurë dhe mjete piroteknike drejt forcave të rendit. Më pas, përplasjet u zhvendosën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë dhe pranë Kryesisë së Kuvendit.
Policia ndërhyri me gaz lotsjellës, autobotë uji dhe spraj me piper për të shpërndarë turmën. Gjatë ndërhyrjeve u regjistruan disa shoqërime, ndërsa protestues të tjerë kundërshtuan veprimet e efektivëve.
Tensione pati edhe me gazetarët që po ndiqnin zhvillimet në terren. Efektivët kërkuan largimin e ekipeve televizive nga zona e ndërhyrjes, duke penguar raportimin nga afër të përplasjeve.
Pas ndërhyrjes policore, protestuesit u zhvendosën drejt sheshit “Skënderbej”, ku vijuan përplasjet. U raportuan hedhje gurësh, kapsollash dhe molotovësh, ndërsa policia përdori sërish gaz lotsjellës. Grupe protestuesish u shpërndanë në rrugët përreth dhe u rigrupuan në pjesë të tjera të qendrës.
Gjatë mbrëmjes u raportuan gjithashtu dëmtime të ndriçuesve, vitrinave të bizneseve dhe bankave, si dhe zjarre në kazanë mbeturinash e objekte të tjera. Incidente u regjistruan edhe pranë institucioneve të tjera në qendër të kryeqytetit.
Sipas bilancit të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, 13 persona kërkuan ndihmë mjekësore, mes tyre protestues, efektivë policie dhe dy përfaqësues të medias. Numri përfundimtar i personave të shoqëruar nuk është konfirmuar ende.
Pavarësisht ndërhyrjeve të përsëritura të policisë dhe shpërndarjes së turmës në disa momente, protestuesit vijuan të riktheheshin në shesh, duke mbajtur të pandryshuar kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.






















