Editorial 26 October 2026, 07:14 Nga D.M

Aritmetika e frikës

Ndaje në Whatsapp
Aritmetika e frikës

 

Të dielën pasdite, kryeministri na uroi një të diel të qetë. Pastaj, pas një vale tjetër dhune, na prezantoi një paketë.

Gjashtë instrumente: gjoba, regjistra, perimetra, kode etike dhe nene të reja penale. Mbi të gjitha, një fjali që tingëllon si ligj natyre: protesta paqësore mbrohet, dhuna ndëshkohet, dëmi paguhet nga shkaktari.

Në pamje të parë, gjithçka të jep përshtypjen e një kryeministri që kujdeset për sigurinë e qytetarëve të tij. Por kjo është një e vërtetë e përgjysmuar, e përdorur si arma më e hollë e pushtetit: i thotë qytetarit atë që ai e di tashmë, që të mos pyesë për atë që nuk i thuhet.

Ky shkrim nuk merr përsipër të mbrojë as molotovin, as gurin. As kockat e thyera nga shkopi, as kafkën e plasaritur e syrin e nxjerrë nga plumbi i gomës, as lëkurën e djegur nga uji me presion dhe solucion. Nga e marta deri të dielën, më 18 tetor, Ministria e Shëndetësisë raportoi 272 të plagosur, 169 prej tyre policë. Kaq tregojnë shifrat e publikuara nga qeveria; verifikimi i pavarur i tyre mbetet i domosdoshëm.

Djem me uniformë, të frikësuar dhe të shtyrë përpara nga joshjet prej mercenari. Studentë e të rinj të dëshpëruar nga humbja e shpresës. Makina të djegura, vitrina të thyera, dëme që i paguan një biznesmen i vogël, jo një ministër. Le të flasim me gjykim të ftohtë: kush e justifikon dhunën i ka dhuruar vetë pushtetit gjysmën e argumentit.

Por vetëm gjysmën ama.

Sepse të dielën në mëngjes, kur Edi Rama doli me gjashtë propozime konkrete, thuajse asnjëri nuk iu përgjigj kërkesave të studentëve. Ishin, para së gjithash, masa ndëshkuese. Studentët thanë çfarë kërkojnë: universitete ku mund të mësohet, arsim që nuk të ngarkon me borxh dhe një të ardhme që nuk fillon në aeroport. Shkurt, kërkojnë ndryshim në mënyrën si qeverisen sot dhe nesër.

Përgjigjja ndaj shkaqeve të protestës — më saktë, ndaj asaj që Rama është i gatshëm të dëgjojë — u la për buxhetin e vitit 2027 dhe për “ditët e para të javës”. Ndërkohë, Rama po vizaton një shtet që ka një gjobë për çdo gabim dhe vetëm një premtim për çdo shpresë.

E sikur kjo të mos mjaftonte, protestuesit u shndërruan, njëri pas tjetrit, në “duar të huaja”, në Antifa, në krim të organizuar, në “mercenarë nga Spanja”. Pa u paraqitur asnjë provë. Po çfarë ka të përbashkët një student i Tiranës me një maskë që vjen nga larg? Vetëm komoditetin e narrativës: kur fajin ia vë të huajit, nuk të duhet të dëgjosh të tutë.

Aritmetika që nuk del

Një sanksion dekurajon sipas një formule të thjeshtë: probabiliteti që fajtori të kapet, shumëzuar me probabilitetin që ai të paguajë, shumëzuar me shumën e gjobës. Mjafton që njëri nga dy faktorët e parë të shkojë drejt zeros dhe edhe gjoba prej 500 000 lekësh, rreth 5 510 euro, bëhet letër. Kriminologjia e thotë prej dekadash: atë që e dekurajon shkeljen është siguria e ndëshkimit, jo ashpërsia e dënimit.

Po çfarë sigurie jep ky shtet i Ramës? Deri më 17 tetor, sipas shifrave të publikuara nga Rama, policia kishte raportuar 500 të ndaluar, prej të cilëve 330 u liruan. Të shtunën u ndaluan 54 persona në Tiranë, 27 prej tyre me procedim penal. Në valën pasuese pati 33 arrestime të reja, mes tyre gjashtë të mitur, ndërsa 41 persona u proceduan. Janë shifra të ditëve të ndryshme, jo një seri e vetme. Por rendi i madhësisë tregon se procedimet individuale numërohen në dhjetëra e qindra, ndërsa turma protestuese në mijëra.

Le të bëjmë një llogari me parametra që i marrim qartë si supozime. Tre mijë pjesëmarrës në protestë, me një gjobë mesatare prej 50 000 lekësh, rreth 551 euro, do të përktheheshin në 150 milionë lekë, rreth 1,65 milionë euro, në letër. Identifikohen 10 për qind, pra 300 vetë — përqindje që sipas shifrave të deritanishme është arritur — dhe arkëtohet gjysma e gjobave: 7,5 milionë lekë, rreth 82 650 euro. Pesë për qind e shumës që premton paketa.

Këtu del një përfundim i rëndë për Ramën. Kur shteti gjobit 300 nga 3 000, nuk bën drejtësi. Po luan bixhoz me shpresën se frika nga represioni do t’i tulatë njerëzit. Por sociologjia dhe përvoja kanë treguar se frika që nuk shpërndahet njësoj nuk është parandalim. Është arbitraritet. Dhe arbitrariteti krijon terren për përshkallëzim të situatës kundër Ramës.

Rrethi që ngushtohet rreth të gjithëve

Paketa e Ramës parashikon që prindi i një 15-vjeçari të paguajë gjobën për një turmë. Që mësuesi të pezullohet pse nxënësit e tij dolën në shesh. Që një person të shënohet në regjistër ende pa u gjykuar. Më provokuesja është mundësia që protestuesve t’u ndalohet të dalin jashtë shtetit.

Shqipëria, një “lager” i madh pra. Kjo e fundit e ka një të mirë: urrejtja rri e grumbulluar brenda vendit. Më saktë, në bulevard, përballë Ramës. Shumë bukur!

Të mos lëmë pa përmendur se Rama premtoi përjashtime për gazetarët, mjekët e kalimtarët dhe tha se represioni ndaj protestuesve do të kërkojë “rrezik real e të afërt”. Ky është ligji që premtoi Rama. Por një ligj është aq i mirë sa dora që e zbaton.

Hulumtimet mbi represionin kanë një gjetje që përsëritet: sanksioni që godet edhe pjesën jo të dhunshme të shoqërisë nuk e izolon dhunën. E afron me të. Me pak fjalë, kjo paketë, edhe nëse miratohet e zbatohet pjesërisht, mund të kthehet në bumerang.

Teksti i huazuar, institucioni i harruar

Rama përmendi Francën, Italinë dhe Venecian si modele nga të cilat janë huazuar masat. Ato tingëllojnë si pasaportë legjitimiteti. Por, për dijeni, në vitin 2019 Këshilli Kushtetues francez anuloi ndalimin administrativ të pjesëmarrjes në demonstrata, të parashikuar nga ligji “anti-casseurs”. Pra, modeli i përmendur kishte një frenë, një filtër dhe një mekanizëm kontrolli.

Pak ditë më parë, Komisioni Evropian dënoi dhunën dhe kërkoi që përgjigjja ndaj saj të mbetet proporcionale.

Mund të kopjosh një nen. Por nuk kopjohet dot një shtet.

Rama, njeriu ndryshe

Për trembëdhjetë vjet, ky vend e pa Ramën si një njeri që e përçmonte banalitetin. Që fliste, shkruante, citonte. Që ishte, siç u tha prej tij e prej të tjerëve, “ndryshe”. Ky imazh krijoi diçka më të vështirë se një votë: pritshmëri.

Ata që e kishin njohur Shqipërinë e gjyshërve, të frikës e të forcës, shpeshherë banale, prisnin që ai të ishte njeriu që do t’i jepte fund asaj kohe. Kjo ishte pritshmëria e krijuar trembëdhjetë vjet më parë.

Sot, përballë të njëjtës rrugë, pritshmërinë e ka zëvendësuar një përgjigje pushteti që e njohim: forca si reagim i parë, e mesa duket i vetëm, dhe gjuha e sigurisë si mbulesë e saj. E njëjta pamje si në vitet ’90, me Alinë, dhe në ’97, me Berishën.

Teorikisht, ka dy lexime të mundshme, por vetëm njëri përputhet me faktet. Ose është një shtet që mbron veten nga një pakicë e dhunshme, ose është një lider që e sheh tërheqjen si humbje personale. Dhe kur pushteti nuk guxon të tërhiqet, tërheq vendin me vete.

Kjo i ndodhi Ramiz Alisë. Kjo i ndodhi Berishës, fillimisht, e më pas edhe në vitet 2011–2013. E siç do të thoshte Meloni, “non c’è due senza tre”.

Kulmi

Shqipëria e njeh pikën kulmore të një krize: atë pikë të paparashikueshme pas së cilës asgjë nuk kthehet më si më parë. Në vitin 1997, mjaftoi një javë vonesë në tërheqje. Më 21 janar 2011 u vranë katër protestues; në anën tjetër të barrikadës, atëherë, qëndronte vetë Edi Rama. Në dhjetor 2020 u vra Klodian Rasha. Çdo herë, një fatalitet e kthen një konflikt politik në plagë kombëtare. Dhe asnjë ligj, asnjë gjobë, asnjë regjistër nuk mund ta kthejë atë mbrapsht.

Askush nuk mund ta llogarisë probabilitetin e një incidenti të tillë. Të gjithë shpresojnë të mos ndodhë dhe bëjnë gjithçka për ta parandaluar. Përveç Edi Ramës, nëse gjykojmë nga aktet që po ndërmerr. Kur shton pikat e kontaktit mes shtetit dhe qytetarit — perimetra, gjoba të menjëhershme, regjistra, nene burgu — nuk e zvogëlon mundësinë e një përshkallëzimi të tillë. Përkundrazi.

Një shtet i fortë nuk është ai që gjobit më shumë qytetarë. Është ai që i kupton dhe u përgjigjet më parë. Prindërit që i duan këta djem e vajza, mësuesit dhe vetë policët e dinë se frika është monedha më e shpejtë dhe më e keqe: shpenzohet shpejt dhe nuk blen kurrë besim afatgjatë.

Numrat nuk janë opinion. Prandaj ia vlen t’i ndjekim: sa gjoba do të vendosen, sa do të arkëtohen, sa persona do të futen në regjistër dhe me çfarë kriteresh, sa procedime do të hapen, sa persona do të burgosen, sa vendime do të shfuqizojë gjykata, sa biznese do ta marrin vërtet dëmshpërblimin dhe sa kohë do të duhet.

Nëse paketa funksionon siç thotë Rama, do ta shohim dhe do të na e provojë. Nëse jo, do ta provojmë në mënyrën më të keqe. Këtu do të jemi për t’ia kujtuar.

Video

“Bëhen natën, harrohen ditën.” Pas dhunës brutale të policisë ndaj të rinjve, Edi Rama u zgjua edhe këtë mëngjes me idenë se mund të bëjë dialog.

Aleksandar Vuçiç zgjodhi këngët dhe vallet për t’u përshëndetur me punonjësit e Presidencës së Serbisë, përpara dorëheqjes nga posti. Ai shfaqet duke kënduar dhe kërcyer me bashkëpunëtorët gjatë një pritjeje lamtumire.

Qindra qytetarë kanë mbushur rrugët e Beogradit me flakadanë, brohoritje dhe festime pas fitores së raportuar të Listës Studentore në zgjedhjet parlamentare në Serbi. “Kurrë më tiranë në vendin tonë”, deklaroi Ilija Srdanoviq, kryesuesi i listës. Sipas raportimeve paraprake, presidenti Aleksandar Vuçiç ka pranuar fitoren e studentëve, të cilët pritet të sigurojnë 135 deri në 140 mandate në Kuvend.

Shpirti i një të riu që kërkon drejtësi nuk mundet me dhunë

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme