Dy ditë pas fitores së Lulës në zgjedhjet presidenciale në Brazil, Flavio Bolsonaro, djali i ish-presidentit Zhair Bolsonaro, është vënë në qendër të një hetimi gjyqësor dhe dyshimeve për arratisje nga vendi. Autoritetet braziliane i kanë anuluar pasaportat, ndërsa Policia Federale po verifikon informacionet se ai mund të ketë kaluar kufirin drejt Argjentinës, me synimin për të udhëtuar më pas në Shtetet e Bashkuara.
Sipas gazetës braziliane Folha de S. Paulo, aleatët më të afërt të familjes Bolsonaro janë informuar se Flavio është larguar nga Brazili. Portali argjentinas Infobae raporton se senatori mund ta ketë kaluar kufirin duke përdorur dokumentin e identitetit. Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar largimin e tij dhe deklarojnë se nuk ekziston asnjë regjistrim zyrtar i daljes nga vendi.
Dyshimet janë përforcuar nga informacionet për një avion privat të tipit Gulfstream, i cili ka mbërritur në Puerto Iguazu nga Buenos Airesi mbrëmjen e së hënës. Sipas të dhënave të gjurmimit të fluturimeve, avioni ndodhej ende në aeroportin e qytetit argjentinas. Nuk është konfirmuar nëse Bolsonaro ka udhëtuar me të.
Gjykatësi Aleksandre de Moraes kishte urdhëruar më parë sekuestrimin e pasaportave të Flavio Bolsonaros dhe i kishte ndaluar largimin nga Brazili. Pasaportat u anuluan pasi ai nuk i dorëzoi dokumentet sipas kërkesës së autoriteteve gjyqësore.
Ndërkohë, Gjykata e Lartë braziliane ka urdhëruar hetimin e dyshimeve për financime të paligjshme të huaja gjatë fushatës së tij presidenciale. Hetuesit do të verifikojnë nëse para nga Shtetet e Bashkuara kanë hyrë në fushatë përmes kompanive, fondacioneve, konsulencave apo ndërmjetësve, duke anashkaluar kufizimet e legjislacionit brazilian.
Në qendër të hetimeve është edhe rrjeti konservator amerikan Rockbridge, i bashkëthemeluar nga zëvendëspresidenti amerikan Xhej Di Vens. Gjykata kërkon të sqarojë nëse mbështetja e mundshme ka pasur vetëm karakter politik apo ka qenë e lidhur me interesa ekonomike mbi rezervat strategjike të mineraleve të rralla të Brazilit.
Flavio Bolsonaro është gjithashtu subjekt i hetimeve të tjera që lidhen me financimin e dyshuar të paligjshëm të filmit Dark Horse, kushtuar babait të tij, si dhe me dyshime për pastrim parash.
Një tjetër drejtim i hetimit lidhet me dyshimet për manipulimin e algoritmeve të rrjeteve sociale gjatë fushatës. Përfaqësues të fushatës së Lulës kanë akuzuar më parë platformat Meta dhe X se kanë favorizuar kundërshtarin e tyre politik.
Flavio Bolsonaro kishte mohuar publikisht se synonte të largohej nga Brazili dhe kishte deklaruar se do të vazhdonte betejën politike në Kongres, pa njohur rezultatin e zgjedhjeve.
Për momentin, arratisja mbetet një informacion i pakonfirmuar. Policia Federale po kontrollon kalimet kufitare për të përcaktuar nëse Bolsonaro është larguar realisht nga territori brazilian.






















