Kryeinspektori Dashnor Sula ka gjetur tri arsye për të qenë optimist në Shqipërinë e vitit 2026: nuk ka të vrarë në protesta, shqiptarët nuk vuajnë më për bukën e gojës dhe vendi po shkon drejt Bashkimit Europian.
I ftuar në A2 CNN, Sula u shpreh “shumë i lumtur” që protestat e dy javëve të fundit nuk kanë shkaktuar humbje jete. Një standard jo fort ambicioz për demokracinë, por gjithsesi një arsye për të festuar.
Për të shpjeguar të tashmen, kryeinspektori u kthye te diktatura, buka e munguar e viteve ’90, trazirat e vitit 1997 dhe faktorët e huaj që nuk ia duan të mirën Shqipërisë.
“Përpara vitit 1993 donim të siguronim ushqimin, sot janë rritur të gjitha standardet dhe kërkesat”, deklaroi Sula, duke theksuar se Shqipëria është në rrugën drejt BE-së.
Pra, mesazhi është i qartë: Mos e matni Shqipërinë me standardet e Europës ku synojmë të hyjmë, por me Shqipërinë ku nuk kishim bukë për të ngrënë.
Dhe mbi të gjitha, gëzohuni që protestat nuk kanë përfunduar me viktima!






















