
Nuk ka pandemi dhe as luftë, por protestat e studentëve duket se kanë mjaftuar që deputetët e mazhorancës të rikthehen te mbledhjet online. Në vend që të uleshin në sallën e Kuvendit, socialistët zgjodhën të diskutonin për të drejtat e njeriut nga shtëpitë, zyrat dhe madje edhe nga makina. Një paradoks më vete, kur mendon se bëhet fjalë pikërisht për komisionin që duhet të merret me të drejtat dhe liritë e qytetarëve, përfshirë edhe të drejtën për të protestuar.
Mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik u zhvillua në distancë për shkak të protestave, me deputetët e Partisë Socialiste që u shfaqën përmes ekraneve. Iris Luarasi, Ardit Bido, Piro Dhima, Ramion Kurti, Kiduina Zaka, Etleva Budini dhe Alma Selami ishin mes pjesëmarrësve, ndërsa opozita e bojkotoi komisionin.
Pamjet të kujtonin kohën e COVID-it, kur deputetët detyroheshin të punonin nga shtëpia për shkak të kufizimeve. Por këtë herë nuk është virusi që i mban larg sallës së mbledhjeve. Janë protestat e studentëve, të cilët kanë dalë në rrugë për të ngritur zërin. Dhe këtu qëndron paradoksi, ata që kanë marrë mandatin për të përfaqësuar qytetarët, zhvillojnë mbledhje në distancë pikërisht kur qytetarët protestojnë kundër tyre.
Madje, deputetja u bëri thirrje edhe kolegëve të opozitës të riktheheshin në komisionet parlamentare. Një thirrje që tingëllonte disi e çuditshme, përderisa vetë përfaqësuesit e mazhorancës nuk kishin shkuar fizikisht në sallën e mbledhjes.
Ndërkohë, Piro Dhima votoi nenet në parim nga makina, ndërsa Ardit Bido dhe disa kolegë të tjerë morën pjesë nga zyrat e tyre. Kështu, puna parlamentare vijoi mes lidhjeve online, ku secili mund të diskutonte dhe të votonte nga vendi ku ndodhej.
Sigurisht, protestat mund të sjellin tensione dhe institucionet kanë detyrimin të marrin masa për sigurinë Nëse protestat e studentëve mjaftojnë që deputetët të mos paraqiten në sallën e komisionit, atëherë çfarë kuptimi ka mandati që mbajnë? Fundja, deputetët nuk janë zgjedhur për të ushtruar detyrën vetëm në ditë të qeta, por edhe për t'u përballur me pakënaqësitë e qytetarëve, sidomos kur ato shprehen përmes protestave.






















