Paketa e masave ndëshkuese ndaj protestuesve u bë shkak për debate të forta në Komisionin e Ligjeve, ku deputetët e PD kanë kërkuar jo vetëm që propozimet të mos marrin mbështetjen e mazhorancës, por që Parlamenti të vetëshpërndahet.
“Ka dy kërkesa: Rama të japë dorëheqjen, është kërkesa e atyre në shesh, edhe e juaja nga brenda. Dhe një qeveri tranzitore. Kuvendi ka detyrimin moral të vetëshpërndahet. Mos u bëni me atë bandit, nëse Kuvendi nuk shpërndahet, turpi do të jetë i juaji. Provoni t’i takoni ata atje dhe do ta shihni faturën”, tha Oerd Bylykbashi gjatë debatit në Komision.
Përgjigjja nga mazhoranca erdhi nga Ulsi Manja, i cili ironizoi kërkesën e opozitës dhe e akuzoi PD-në se po mbron personat e përfshirë në akte dhune gjatë protestave.
“Vazhdoni të shihni ëndrra, por kur dilni te Lana, vishuni me plastmas. Mos i mbroni ata të dhunës në selinë tuaj”, tha Manja.
Debati në Komisionin e Ligjeve zhvillohet ndërsa përplasja politike për mënyrën se si qeveria po i përgjigjet protestave është zhvendosur tashmë edhe në Parlament, me opozitën që kërkon largimin e qeverisë, ndërsa mazhoranca mbron nevojën për masa më të forta ndaj akteve të dhunës.






















