Erion Veliaj ka zgjedhur zhvillimet politike në Serbi për të përcjellë një mesazh që mund të lexohet edhe si një kritikë ndaj mënyrës se si pushteti u përgjigjet protestave studentore. Kryebashkiaku i Tiranës ka përshëndetur studentët serbë dhe ka sulmuar Aleksandar Vuçiçin, të cilin e cilëson “makiavelisti dhe populisti i Beogradit”.
“Urime studentëve për rrëzimin e makiavelistit dhe populistit të Beogradit!”, shkruan Veliaj në Facebook.
Por përtej qëndrimit ndaj Vuçiçit, vëmendjen e tërheq mesazhi i Veliajt për protestat dhe përgjegjësinë e politikës për të dëgjuar të rinjtë.
“Lëvizjet dhe protestat studentore nuk janë ‘fundi i botës’, por fundi i ‘një bote’”, shkruan kryebashkiaku, duke shtuar se sa më shpejt ta kuptojnë këtë qytetarët dhe politikëbërësit, aq më mirë do të dinë t'u përgjigjen nevojave dhe pritshmërive të brezit të ri.
Një qëndrim që tingëllon si leksion demokracie, por që merr një kuptim tjetër kur vjen nga një prej figurave më të rëndësishme të pushtetit socialist në Shqipëri. Aq më tepër në një kohë kur, prej 14 ditësh edhe studentët shqiptarë po protestojnë kundër qeverisë së Edi Ramës. Në këtë kontekst, mesazhi i Veliajt ngre një pyetje të pashmangshme, a vlen thirrja për të dëgjuar studentët edhe për qeverinë shqiptare, me të cilën ai ka ndarë për vite të tëra të njëjtin pushtet politik?
Megjithatë, ironia qëndron kur Veliaj kritikon populizmin dhe makiavelizmin e Vuçiçit. Vetë kryebashkiaku ka qenë shpesh objekt kritikash për mënyrën e komunikimit publik, propagandën dhe përdorimin e imazhit në politikë. Madje, edhe ditën kur SPAK po i vendoste prangat, ai shfaqej sikur inaguronte çerdhe në Tiranë. Për këtë arsye, etiketimet që ai përdor për presidentin serb, nuk janë hiç më pak se një shëmbëlltyrë e vetë Erion Veliajt por dhe të shefit të tij, Edi Rama.
Ndërkohë, humbja e Vuçiçit në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, pas një lëvizjeje të gjatë protestash studentore, i jep peshë politike reagimit të Veliajt. Edhe në Shqipëri, protestat e nisura më 13 tetor kanë përfshirë kërkesa për përmirësimin e arsimit, luftën kundër korrupsionit dhe dorëheqjen e Ramës.
Reagimi merr një tjetër dimension edhe për shkak të marrëdhënieve të afërta politike që Rama dhe Vuçiç kanë pasur ndër vite.
A është ky reagim një sinjal se Erion Veliaj i ka ndarë përfundimisht rrugët politike me Edi Ramën? Apo, duke përshëndetur rrëzimin e Vuçiçit nga protestat studentore në Serbi, kryebashkiaku po përcjell një mesazh të tërthortë edhe për fatin politik të kryeministrit shqiptar, përballë protestave që po zhvillohen në vend? Postimi ngre dyshimin nëse Veliaj po sheh te zhvillimet në Beograd një skenar që mund të përsëritet edhe në Tiranë.






















