
Kur Edi Rama lëshoi “Praninë Besnike” si një formulë magjike për të shuar revoltën e popullit dhe për t'u shtirur gjoja se po dëgjonte hallet e qytetarëve, premtoi se takimet do të ishin me njerëzit e thjeshtë çdo të premte. Por kjo ishte vetëm një fasadë për kamerat, një përgjigje e detyruar ndaj valës së protestave që i kishin zënë ngushtë.
Tani që fasada ka rënë dhe dhuna shtetërore e policisë ka marrë vendin e dialogut duke masakruar qytetarët në protesta, socialistët duket se e kanë kuptuar se nuk kanë më fytyrë të dalin para popullit. E vetmja zgjidhje për ta ka mbetur strehimi pas dyerve të mbyllura, mes njeri-tjetrit.
E vërteta e kësaj "pranie" pa popull reflektohet qartë te postimi i deputetit socialist dhe drejtuesit të PS-së për Qarkun Vlorë, Blendi Çuçi, i cili shkruan pa teklif:
"Forca jonë matet çdo ditë me atë që bëjmë për njerëzit dhe me aftësinë për t'u bërë gjithmonë më të mirë në shërbim të tyre. Reflektimi na ndihmon të vlerësojmë atë që kemi arritur, të kuptojmë çfarë duhet përmirësuar dhe të ecim përpara me më shumë përgjegjësi, përkushtim dhe besim te puna jonë e përbashkët."
Por në realitet, në vend të qytetarëve që protestojnë e vuajnë, Çuçi shfaqet në tryezë i rrethuar vetëm nga kryetarë bashkish, deputetë e drejtorë.
Ndërkohë që Çuçi bën mbledhje komode me besnikët, Vlora dhe vlonjatët po përballen me një tjetër lloj katastrofe. Këtë fundjavë, shiu i parë i vjeshtës ka mjaftuar që qyteti të përmbytet nga vërshimet e ujit me baltë të kuqe, si pasojë e ndërtimeve pa kriter dhe betonizimit të pakontrolluar. Rrugët e banesat u transformuan në moçale, duke lënë qytetarët të braktisur nga pushteti lokal e qendror.
Por për këto përmbytje shkatërruese dhe për hallet reale të vlonjatëve, Blendi Çuçi nuk ka asnjë fjalë. Kur nuk ke fytyrë të dalësh para qytetarëve që i zhyt në baltë dhe i shtyp me polici, të mbetet vetëm të bësh sikur qeveris... duke takuar vetëm veten.























