Edi Rama e nisi javën duke nxjerrë karrige për dialog përpara Kryeministrisë dhe po e mbyll duke prezantuar një paketë me gjoba, kufizime, regjistra elektronikë dhe ndryshime në Kodin Penal. Pas protestave që kanë përfshirë Tiranën, kryeministri ka gjetur një mënyrë të re për t'iu përgjigjur pakënaqësisë qytetare: gjashtë instrumente ligjore që premtojnë të ndëshkojnë dhunën, por që ngrenë njëkohësisht pyetje serioze për lirinë e tubimit dhe të drejtat kushtetuese.
Në fjalimin e mbajtur këtë të diel, Rama deklaroi se paketa është hartuar në bashkëpunim me ekspertë europianë dhe në koordinim me partnerët francezë e italianë. Madje garantoi se asnjë dispozitë e saj nuk bie ndesh me Kushtetutën.
Por Kushtetuta shqiptare ka disa nene që meritojnë të lexohen përpara se kryeministri të shpallë përputhshmërinë e ligjeve që vetë propozon.
Sipas paketës, qytetarët që vazhdojnë të qëndrojnë në një tubim ku ushtrohet dhunë, edhe pas paralajmërimit të policisë, mund të gjobiten deri në 500 mijë lekë. Pra, nuk bëhet fjalë domosdoshmërisht për personin që hedh gurin, thyen xhamin apo djeg një automjet, por edhe për atë që qëndron në turmë pasi është urdhëruar të largohet.
Qeveria argumenton se kjo masë synon të pengojë mbështetjen pasive të dhunës. Megjithatë, problemi juridik është i dukshëm: prania në një tubim ku disa persona kryejnë akte të dhunshme nuk provon automatikisht përgjegjësinë e të gjithë pjesëmarrësve.
Neni 47 i Kushtetutës garanton lirinë e tubimeve paqësore, ndërsa neni 17 përcakton se kufizimi i të drejtave duhet të jetë i domosdoshëm dhe proporcional. Edhe jurisprudenca e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dallon përgjegjësinë e personave të dhunshëm nga të drejtat e atyre që marrin pjesë paqësisht.
Por paketa e Ramës shkon më tej.
Ajo parashikon gjoba nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë për pjesëmarrjen në tubime që kryeministri i cilëson si të zhvilluara pa leje. Këtu lind një tjetër problem: ligji shqiptar nr. 8773/2001, "Për tubimet", parashikon procedurën e njoftimit të policisë, jo një sistem të përgjithshëm lejesh paraprake për të protestuar.
Dallimi është thelbësor. Në një demokraci, qytetarët nuk i kërkojnë qeverisë leje për ta kundërshtuar atë. Policia ka kompetenca të përcaktuara me ligj për garantimin e rendit dhe vendosjen e kufizimeve të justifikuara, por kjo nuk e kthen të drejtën kushtetuese të protestës në një privilegj që jepet nga pushteti.
Një tjetër masë parashikon që policia të kufizojë tubimet deri në 72 orë në perimetra të caktuar rreth institucioneve shtetërore, shkollave, spitaleve dhe objekteve të tjera të ndjeshme, kur ekziston rrezik real dhe i afërt dhune.
Në praktikë, mënyra se si do të përcaktohen këta perimetra mund të ketë rëndësi vendimtare. Sepse protestat politike zakonisht zhvillohen pikërisht përpara institucioneve ndaj të cilave drejtohet pakënaqësia. Dhe një protestë kundër qeverisë, e zhvendosur larg selisë së qeverisë, rrezikon të humbasë një pjesë të rëndësishme të mesazhit të saj.
Megjithatë, risia më e ndjeshme e paketës është krijimi i një Regjistri të Posaçëm Elektronik për personat e referuar ose nën hetim për vepra kundër shtetit, rendit dhe sigurisë publike.
Sipas Ramës, regjistri do të administrohet nga Policia e Shtetit dhe do të përdoret edhe për kontrollet kufitare. Ai paralajmëroi gjithashtu njoftimin e autoriteteve të huaja, kompanive të transportit dhe strukturave akomoduese për rrezikshmërinë e personave të përfshirë.
Këtu problemi nuk është më vetëm liria e protestës, por edhe prezumimi i pafajësisë.
Neni 30 i Kushtetutës përcakton se kushdo quhet i pafajshëm përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë. Ndërsa neni 35 garanton mbrojtjen e të dhënave personale.
Një person i referuar në polici apo nën hetim nuk është automatikisht fajtor. Aq më pak mund të konsiderohet pa një vlerësim individual si rrezik për sigurinë e vendeve të tjera. Ligji mund të parashikojë kufizime të udhëtimit në rrethana të përcaktuara, por regjistrimi në një bazë të dhënash nuk mund të zëvendësojë kushtet dhe garancitë ligjore për vendosjen e tyre.
Dhe këtu lind një pyetje që kryeministri nuk e sqaroi: çfarë ndodh me qytetarin që regjistrohet si person nën hetim, por më pas rezulton i pafajshëm? Si korrigjohen apo fshihen të dhënat e tij dhe çfarë ndodh me informacionin që ndërkohë mund t'u jetë shpërndarë autoriteteve apo subjekteve të huaja?
Paketa parashikon gjithashtu përgjegjësi financiare për prindërit e të miturve mbi 14 vjeç, masa disiplinore për mësuesit që përdorin autoritetin e tyre për të përfshirë nxënësit në protesta, si edhe vepra të reja penale për nxitjen e dhunës në rrjetet sociale, kanosjen, përndjekjen dhe përdorimin dëmtues të videove të falsifikuara me inteligjencë artificiale.
Disa prej këtyre veprimeve janë tashmë të ndëshkueshme nga legjislacioni shqiptar, ndërsa të tjerat kërkojnë përcaktime të reja. Kjo e bën të domosdoshëm dallimin midis forcimit të dispozitave ekzistuese dhe krijimit të kompetencave të reja për autoritetet.
Askush nuk mund të pretendojë se djegia e pronës, dhunimi i policëve apo sulmet ndaj qytetarëve mbrohen nga liria e protestës. Por pikërisht sepse këto veprime janë të ndëshkueshme, qeveria duhet të shpjegojë pse dispozitat aktuale nuk mjaftojnë dhe çfarë garancish do të pengojnë zbatimin e masave të reja ndaj protestuesve paqësorë.
Ironia është se kryeministri që prej ditësh u kërkon qytetarëve të ulen në dialog, tani u prezanton edhe një listë të gjatë pasojash ligjore nëse vazhdojnë të protestojnë në rrethana të caktuara.
Rama ka të drejtë kur thotë se dhuna duhet ndëshkuar dhe dëmi duhet paguar nga shkaktari. Por kjo nuk është një shpikje e paketës së tij. Janë parime që ekzistojnë tashmë në rendin juridik shqiptar.
Ajo që kërkon shqyrtim është pjesa tjetër: gjobitja e atyre që qëndrojnë në një turmë, kufizimi i tubimeve pranë institucioneve dhe krijimi i regjistrave me pasoja të mundshme edhe jashtë Shqipërisë.
Për momentin bëhet fjalë për masa të prezantuara nga kryeministri, jo për gjashtë instrumente të reja të miratuara dhe të hyra në fuqi. Përputhshmëria e tyre me Kushtetutën nuk mund të përcaktohet përfundimisht pa shqyrtuar tekstet e plota.
Por një gjë është e qartë që tani: Kushtetuta nuk garanton vetëm të drejtën e qeverisë për të mbrojtur rendin. Ajo garanton edhe të drejtën e qytetarëve për ta kundërshtuar qeverinë, pa u trajtuar si përgjegjës për veprimet e të tjerëve.
Dhe nëse Rama dëshiron vërtet t'i bindë shqiptarët se kjo paketë mbron demokracinë, nuk mjafton t'u tregojë sa të larta do të jenë gjobat. Duhet t'u tregojë sa të forta do të jenë garancitë kundër abuzimit me to.
Sepse dialogu me qytetarët nuk matet me numrin e karrigeve që vendosen përpara Kryeministrisë. Dhe as demokracia me numrin e gjobave që mund të vendosen përpara saj.






















