Politika 25 October 2026, 09:48 Nga VNA

Dialogu në letër, protesta në flakë” – DW: Studentët nuk tërhiqen nga kërkesa për dorëheqjen e Ramës! Kryeministri kërkon bisedime, por bën akuza

Ndaje në Whatsapp
Dialogu në letër, protesta në flakë” – DW:

Tri ditë qetësie u pasuan nga një e shtunë përplasjesh të ashpra në rrugët e kryeqytetit. Dita e 12 e protestës studentore pati molotovë, gurë, objekte në flakë, gaz lotsjellës dhe plumba gome. Studentët vijuan të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, i cili, vetëm pak orë përpara protestës, përsëriti ftesën për dialog, por edhe akuzat për grupe të dhunshme të infiltruar mes tyre. Bilanci i përplasjeve ishte 13 të lënduar, mes protestuesve, policisë dhe përfaqësuesve të medias.

Studentët nuk tërhiqen

Ora 14:00 i gjeti studentët sërish përpara Ministrisë së Arsimit. Përplasjet me policinë nisën vetëm pak minuta më vonë, për t’u përshkallëzuar përgjatë pasdites e deri në mbrëmje, në rrugë, sheshe e zona të ndryshme të Tiranës.

Koshave të mbeturinave dhe objekteve të tjera iu vu zjarri, ndërsa flakët përfshinë edhe derën e Ministrisë së Mjedisit. Në drejtim të Bankës së Shqipërisë u hodhën molotovë, ndërsa policia ndërhyri me ujë, gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë demonstruesit.

Mes tymit, flakëve dhe përplasjeve me forcat e rendit, protestuesit vijuan të kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e kthyer ditën e 12-të në një nga episodet më të tensionuara të protestave.

Rama kërkon dialog, por bën akuza

Kryeministri Edi Rama e nisi edhe këtë të shtunë me një tjetër ftesë për dialog, për t’u rikthyer vetëm pak orë më vonë me akuza për grupe të dhunshme të infiltruar në protestën studentore. Përpara Kryeministrisë, një stol i madh betoni mbante fletë me mbishkrimin “Dialog”, një gjest simbolik që kreu i qeverisë e përsërit prej pesë ditësh.

Por brenda paradites, Rama doli përkrah ministrit të Brendshëm Ervin Demo, duke folur për persona me precedentë kriminalë, grupe të radikalizuara dhe individë të nxitur e të paguar për të ushtruar dhunë. Kryeministri tërhoqi paralele me protestat në Francë dhe Itali, duke bërë të ditur se Shqipëria po bashkëpunon me këto dy vende për masa të reja sigurie.

“Duke qenë se njëkohësisht në të tria vendet tona, flama e terrorit urban të ANTIFA-s është shfaqur me forcën e vet të verbër” – u shpreh Rama.

Krahas akuzave dhe paralajmërimeve për masa ndaj dhunës, Rama pranoi se një pjesë e pakënaqësive që kanë nxitur protestën janë legjitime. Ai përmendi shtrenjtimin e jetesës, vështirësitë e strehimit dhe kërkesat për më shumë meritokraci e barazi sociale. Ai premtoi masa konkrete.

“Ne jemi absolutisht të fokusuar dhe së shpejti do të bëjmë me dije dhe cilat do të jenë masat që do të marrim” – deklaroi kryeministri.

13 të lënduar nga përplasjet

Përplasjet lanë pas 13 të lënduar: tetë protestues, tre efektivë policie dhe dy përfaqësues të medias. Nëntë prej tyre u paraqitën në Spitalin e Traumës, mes të cilëve një protestues me dëmtime në sy.

“Njëri prej të cilëve i lënduar në sy, po i nënshtrohet ekzaminimeve. Jashtë rrezikut për jetën”- njoftoi Ministria e Shëndetësisë.

Në QSUT morën trajtim një protestues dhe një efektiv policie, të cilët më pas lanë spitalin.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) raportoi dy incidente të tjera ndaj gazetarëve gjatë protestës së së shtunës, duke e çuar në 45 numrin e rasteve të dokumentuara ose të raportuara nga 13 deri më 24 tetor. Mes tyre përfshihen dhuna fizike, kërcënimet, pengimi i raportimit dhe sulmet verbale ndaj përfaqësuesve të medias./DW

Video

Një rrjedhje gazi nga një bombul që përdorej për gatim ka shkaktuar alarm te banorët e një pallati në lagjen “15 Tetori”, në qytetin e Fierit. Ngjarja është regjistruar në një apartament ku banonte një çift të moshuarish. Pas konstatimit të erës së gazit, banorët kanë njoftuar menjëherë shërbimin zjarrfikës, i cili ka mbërritur në vendngjarje për të ndërhyrë. Efektivët zjarrfikës kanë bërë të mundur largimin e bombulës së gazit nga apartamenti, duke shmangur rrezikun e një shpërthimi të mundshëm. Për arsye sigurie, çifti i të moshuarve është larguar nga banesa gjatë ndërhyrjes së zjarrfikësve.

Lulzim Gjini është protestuesi që u godit me shkop gome nga një efektiv policie ndërsa qëndronte i shtrirë në tokë pa ndjenja, është dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Në videon që ka siguruar VNA, shihet momenti i mbërritjes së tij në spital pas dhunës së ushtruar gjatë protestës.

Dy persona të tjerë të plagosur gjatë protestës kanë mbërritur në spital për të marrë ndihmë mjekësore, duke e çuar në 11 numrin e të lënduarve. Në videon e siguruar nga VNA shihet mbërritja e dy të plagosurve në spital. Ende nuk dihen rrethanat e dëmtimit

Policia dhunon qytetarin dhe largohet duke e lënë këtë të fundit pa ndjenja. Nuk flitet më për zbatim ligji. Kjo është thjeshtë barbari

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme