Policia e Shtetit shpreh keqardhjen për plagosjen e Erjon Vishkullit, 28-vjeçarit që përfundoi në sallën e operacionit me syrin e majtë të dëmtuar rëndë gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë. I uron shërim të shpejtë dhe premton hetime, por nuk sqaron si u plagos dhe kush mund të mbajë përgjegjësi.
Vishkulli është nga Elbasani, i diplomuar për gazetari dhe pjesëtar aktiv i grupimit “Tifozat Kuq e Zi”. Familja e tij merret me prodhimin e vajit të ullirit, ndërsa në rrjetet sociale bie në sy pasioni për Kombëtaren shqiptare. Në informacionet e bëra publike deri tani nuk ka të dhëna që ta lidhin me aktet e dhunës gjatë protestës.
Dy ditë më parë, Edi Rama publikoi fotografi dhe të dhëna për protestues që i paraqiti si persona të dhunshëm me precedentë penalë. Mes tyre ishte edhe Jon Sinoimeri, i cili kundërshtoi publikisht pretendimet e kryeministrit, duke deklaruar se ishte student i Mjekësisë me mesatare 10.
Po sot, a do ta publikojë Rama edhe fotografinë e Erjon Vishkullit mes atyre që i prezantoi si “dhunues me precedentë penalë”? Apo do të kërkojë publikisht zbardhjen e plagosjes së tij?
Sipas raportimeve mediatike, 28-vjeçari u godit në sy me plumb gome në zonën e Sheshit Skënderbej dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Pasojat për shikimin mbeten ende të paqarta.
Në komunikatën e sotme, Policia rendit gurët, sferat metalike, bombat Molotov dhe plagosjen e pesë efektivëve, por për Vishkullin mjaftohet me keqardhjen dhe njoftimin se kanë nisur hetimet nga strukturat e brendshme, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria.
Ndërkohë, është pezulluar një efektiv i forcës “Shqiponja”, inspektori A. K., për një tjetër rast të dyshuar të përdorimit joproporcional të forcës, të dokumentuar në media. Policia nuk e lidh këtë pezullim me plagosjen e 28-vjeçarit.
Dhuna ndaj policëve duhet hetuar dhe ndëshkuar. Por po aq rigoroz duhet të jetë hetimi kur dyshohet se forca është përdorur në mënyrë të paligjshme ndaj qytetarëve.
Erjon Vishkulli nuk ka nevojë për një komunikatë keqardhjeje, por për trajtim mjekësor, zbardhjen e ngjarjes dhe drejtësi.
Edi Rama ishte i shpejtë për të publikuar fotografitë e protestuesve dhe për të folur për precedentët e tyre penalë. Tani mbetet të shihet nëse do të tregojë të njëjtën vendosmëri për të kërkuar përgjegjësi për syrin e plagosur të Erjon Vishkullit.






















