
Familja e Erkan Nikës ka një lutje për autoritetet shqiptare: ta ndihmojnë për të mësuar fatin e të birit, i zhdukur prej një muaji pas bombardimit të anijes në Detin e Zi, ku punonte si inxhinier i dytë.
Vëllai i tij kërkon po ashtu ndihmën e gjithkujt që ka informacion për vendndodhjen e Erkanit. Nga ekuipazhi janë shpëtuar 15 persona, ndërsa vetëm fati i Erkanit mbetet mister.
Njoftimi i plotë i familjes:
Rinjoftim për shtetin shqiptar dhe shqiptarët kudo që ndodhen.
Emri dhe mbiemri: Erkan Nika
Shtetësia: Shqiptare
Pozicioni: Inxhinier i dytë i anijes
Anija: AROYAT (kompani turke)
Data e ngjarjes: 25 shtator 2026
Më 25 shtator 2026, anija AROYAT u sulmua nga dronë në Detin e Zi, pranë brigjeve të Rusisë.
Sot, më 25 tetor 2026, një muaj pas ngjarjes, inxhinieri i dytë i anijes, Erkan Nika, vazhdon të jetë i zhdukur dhe nuk kemi asnjë informacion për vendndodhjen e tij.
Nga 16 anëtarët e ekuipazhit që ndodheshin në bord, 15 janë shpëtuar.
Në fillim të tetorit, autoritetet turke kontrolluan anijen. Nuk u gjet Erkan Nika dhe asgjë që i përket atij.
Deri më sot, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për vdekjen e tij.
Ne besojmë se mundësia që Erkani të jetë ende gjallë nuk duhet të përjashtohet. Ai mund të ndodhet në ndonjë qytet portual të Rusisë apo Gjeorgjisë, ose në ndonjë vend tjetër, ndoshta i plagosur, pa ndjenja, i shtruar në spital ose ende i paidentifikuar.
U bëjmë thirrje urgjente spitaleve, institucioneve shëndetësore, policisë, autoriteteve portuale dhe institucioneve përkatëse në Rusi, Gjeorgji dhe Turqi që të kontrollojnë regjistrat e tyre për pacientë të paidentifikuar, persona të plagosur apo individë të shpëtuar ose të gjetur në zonat bregdetare.
Nëse keni çfarëdo informacioni për vendndodhjen e Erkan Nikës, ose mendoni se mund ta keni parë diku, ju lutem më kontaktoni mua, vëllain e tij, Erizon Nika, në WhatsApp: 00905342468381.























