Transferimi i Erjon Vishkullit, 28-vjeçarit nga Elbasani të plagosur rëndë në sy gjatë protestës së 24 tetorit, ka shkaktuar një përplasje publike mes familjes së tij dhe kryeministrit Edi Rama.
Gjithçka nisi pasi Rama deklaroi se kishte marrë personalisht iniciativën për dërgimin e të riut në Itali, me avion mjekësor, për trajtim të specializuar.
Por motra e Erjonit, Rubi Vishkulli, e kundërshtoi publikisht versionin e kryeministrit, duke deklaruar se transferimi ishte mundësuar falë angazhimit të familjes, miqve dhe personave që u kishin ardhur në ndihmë. Ajo kërkoi gjithashtu që situata e rëndë shëndetësore e të vëllait të mos përdorej për propagandë politike.
Pas këtij reagimi, Rama publikoi një tjetër deklaratë, duke këmbëngulur se iniciativën e kishte marrë personalisht dhe se transporti me avion mjekësor, si edhe shpenzimet e trajtimit, ishin mbuluar nga shteti shqiptar.
Kryeministri shtoi edhe një hollësi tjetër: se e kishte takuar Erjonin përpara nisjes në sallën VIP të aeroportit, të njëjtën sallë nga ku udhëtojnë edhe drejtuesit më të lartë të shtetit.
Në këtë debat është përfshirë edhe zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, e cila ka mbështetur versionin e angazhimit shtetëror për trajtimin e të riut.
Kështu, për të njëjtin transferim mjekësor ekzistojnë dy versione publikisht të kundërta: familja kundërshton pretendimin se gjithçka u mundësua nga shteti, ndërsa kryeministri këmbëngul se shteti mori përsipër transportin dhe shpenzimet.
Deri tani nuk janë bërë publike dokumentet e pagesës së avionit mjekësor apo të trajtimit në Itali, të cilat do të sqaronin përfundimisht pretendimet e palëve.
Në vend të një sqarimi institucional me dokumente, debati është kthyer në një shkëmbim deklaratash mes kryeministrit dhe familjes së një të riu që ndodhet në një situatë të rëndë shëndetësore.
Në fund, çështja është fare e thjeshtë: nëse shteti i ka paguar shpenzimet, mjafton të publikojë dokumentet. Një faturë do ta sqaronte më mirë këtë histori sesa disa statuse në Facebook.






















