Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka përjashtuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa studentët vijojnë prej dy javësh protestat duke kërkuar largimin e kreut të qeverisë.
Balla deklaroi se Rama ka mbështetjen e plotë të deputetëve socialistë dhe të votuesve të PS-së, duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit 2025.
“Edi Rama është zgjedhur më 11 maj të vitit 2025 kryeministër i Shqipërisë, ka gjithë mbështetjen e grupit parlamentar të PS-së dhe të 862 mijë votuesve”, tha ai.
I pyetur për dialogun me studentët, Balla u shpreh se mazhoranca është e hapur për diskutime dhe kërkoi paraqitjen e një liste konkrete çështjesh.
“Po, ka dialog. Le të çojnë listën e çështjeve. Dorëheqje s’ka”, deklaroi kreu i grupit socialist.
Ai përjashtoi nga dialogu atë që e cilësoi si “seksioni i dhunës së PD-së”, duke akuzuar përfaqësues të opozitës për dëmtimin e pllakateve të katër të vrarëve të 21 Janarit.
Duke komentuar edhe zhvillimet politike në Serbi, Balla këmbënguli se ardhja në pushtet në demokraci përcaktohet përmes votës.
“PS-në e keni këtu dhe do të jetë këtu derisa të realizojë Shqipërinë 2030. S’ka zgjedhje të parakohshme”, përfundoi ai.






















