Mes projektligjeve që morën kartonin jeshil nga mazhoranca në Komisionin e Ligjeve është edhe ai për Bankën e Shqipërisë. Në pamje të parë, një nismë që synon modernizimin e bankës qendrore dhe përafrimin e saj me standardet e Bashkimit Europian.
Por mes dispozitave teknike gjendet edhe një ndryshim që ngre pikëpyetje: Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë i jepet imunitet, njësoj si një deputet.
Neni 72 parashikon se Guvernatori nuk mund të ndalohet, të privohet nga liria përmes masave shtrënguese dhe as t’i nënshtrohet kontrollit personal apo të banesës për vepra penale që lidhen me ushtrimin e detyrës. Dhe përpara se drejtësia të procedojë me masa të tilla, në mes hyn Kuvendi.
Prokurori duhet t’i drejtohet Parlamentit, i cili verifikon nëse vepra penale për të cilën po hetohet Guvernatori lidhet me ushtrimin e detyrës. Vetë projektligji përcakton se Kuvendi duhet të ndjekë, “për sa është e mundur”, procedurën e parashikuar për miratimin e heqjes së imuniteteve.
Pra, nuk bëhet fjalë vetëm për një formulim mbi pavarësinë e Bankës së Shqipërisë. Projektligji krijon një mekanizëm konkret mbrojtjeje: mes prokurorit dhe Guvernatorit vendoset Kuvendi.
Dhe pikërisht këtu nis dilema. Sepse një mbrojtje të tillë e njohim për deputetët. Por në rastin e tyre, imuniteti nuk është krijuar nga një ligj i zakonshëm. Ai buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e cila në nenin 73 përcakton mbrojtjen procedurale të deputetit. Për Guvernatorin, Kushtetuta nuk e bën këtë.
Ligji themeltar përcakton statusin e Bankës së Shqipërisë dhe mënyrën e zgjedhjes së Guvernatorit, por nuk i njeh këtij të fundit imunitet nga arrestimi, masat shtrënguese apo kontrolli personal dhe i banesës. Atë që Kushtetuta nuk ia ka dhënë shprehimisht Guvernatorit, projektligji i ri kërkon t’ia japë përmes një ligji.
Pse?
Relacioni shoqërues e vendos nismën nën ombrellën e integrimit europian. Flitet për acquis communautaire, Kapitullin 17 “Politika ekonomike dhe monetare”, forcimin e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë dhe përgatitjen e saj për integrimin e ardhshëm në Sistemin Europian të Bankave Qendrore.
Por mes forcimit të pavarësisë së një banke qendrore dhe vendosjes së një pengese procedurale për drejtësinë ka një diferencë që meriton shpjegim.
Pse pavarësia e Guvernatorit duhet të garantohet edhe përmes një imuniteti? Pse duhet të jetë Kuvendi ai që vendos nëse drejtësia mund të procedojë me masa shtrënguese ndaj tij? Dhe, mbi të gjitha, pse një mbrojtje që Kushtetuta nuk ia ka dhënë Guvernatorit po i jepet tani me ligj?
Mund të jetë thjesht një garanci shtesë për pavarësinë e një institucioni kyç. Por mund të jetë edhe një precedent që kërkon shumë më tepër shpjegim sesa disa rreshta për “përafrimin me standardet europiane”.






















