
Edi Rama ka gjetur një mënyrë origjinale për t’iu përgjigjur kritikave ndaj masave të reja fiskale: jo me shifra, jo me argumente, por me përçmim.
“Flisni flisni për masat e reja fiskale, grijeni sallatën tuaj të urrejtjes dhe padijes”, shkruan kryeministri, ndërsa mburret me buxhetin prej mbi 10 miliardë eurosh.
Por pas kësaj ironie fshihen propozime që prekin xhepat e shqiptarëve. TVSH-ja standarde parashikohet të rritet nga 20% në 21%, ajo e turizmit nga 6% në 10%, ndërsa për të ardhurat e larta nga punësimi propozohet tatim deri në 32%. Ndërkohë, për disa ushqime bazë parashikohet ulje e TVSH-së në 6%.
Pra, ka rritje taksash, ka edhe lehtësime. Por në vend të një shpjegimi të qartë se kush fiton dhe kush paguan më shumë, Rama zgjedh të tallet me kritikët.
Kryeministri thotë se dokumentet janë të paplota. Atëherë le t’i publikojë të plota! Sepse shqiptarët nuk kanë detyrimin të duartrokasin çdo shifër që del nga qeveria, por qeveria ka detyrimin të shpjegojë çdo lek që kërkon prej tyre.
Edhe mburrja me buxhetin 10 miliardë euro nuk mbush xhepat e qytetarëve. Një buxhet rekord nuk do të thotë automatikisht mirëqenie rekord. E rëndësishme nuk është vetëm sa para mbledh qeveria, por sa u mbeten shqiptarëve pasi paguajnë faturat.
Në fund, logjika e Ramës duket e thjeshtë: kur qeveria kërkon më shumë para, quhet reformë. Kur qytetarët kërkojnë llogari, quhet padije.
Dhe ironia më e madhe është se kryeministri e quan “sallatë” debatin për taksat, ndërsa faturën kërkon t’ua servirë shqiptarëve.
Me pak fjalë: Rama përgatit menunë, shqiptarët paguajnë darkën dhe kush ankohet, shpallet i paditur!






















