Elon Musk premtoi se do të realizonte një version më të mirë dhe më besnik ndaj Homerit sesa filmi Odisea i regjisorit Kristofer Nolan. Por shtatë minutat e para të filmit të krijuar me inteligjencë artificiale kanë shkaktuar më shumë tallje sesa admirim.
Gjithçka nisi gjatë verës, kur miliarderi kritikoi Nolanin për përzgjedhjen e aktorëve dhe diversitetin në filmin e tij. Musk deklaroi se do të përdorte teknologjinë Grok Imagine për të realizuar një version historikisht më të saktë të veprës së Homerit.
Më 23 tetor u publikua episodi i parë, i realizuar në bashkëpunim me kompaninë Wonder Studios. Filmi tregon Odiseun që përpiqet t’i shmanget Luftës së Trojës, largimin e tij nga Itaka dhe mbërritjen e ushtrisë greke në Trojë.
Por kritikët nuk janë impresionuar. Gazeta britanike The Guardian e krahasoi filmin me një mbrojtës ekrani kompjuteri, duke e cilësuar të mërzitshëm, pa emocione dhe pa forcë dramatike. Edhe media të tjera kritikuan lëvizjet artificiale të personazheve, dialogët robotikë dhe mungesën e realizmit.
Ironia më e madhe është se Musk premtoi saktësi historike, ndërsa vetë sistemi i tij Grok pranoi se filmi përmbante pasaktësi.
Dallimi mes dy prodhimeve është i madh. Filmi i Nolanit, me një buxhet rreth 250 milionë dollarë, u realizua me një ekip të madh profesionistësh, ndërsa episodi i Musk u krijua në më pak se dy javë, nga një ekip shumë i vogël dhe me një kosto shumë më të ulët.
Prodhuesit e versionit me inteligjencë artificiale kanë pranuar se ka ende probleme dhe kanë premtuar përmirësime në episodet e ardhshme.
Musk u nis të tregonte se inteligjenca artificiale mund ta bënte më mirë punën e Hollivudit. Për momentin, kritika duket se ka gjetur më shumë arsye për të qeshur sesa për të duartrokitur.






















