Harry Kane ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme dhe është shndërruar në një nga sulmuesit më të spikatur të brezit të tij. Pas vitesh pune dhe sakrificash, anglezi ka arritur majat e futbollit, ndërsa tashmë vëmendja po zhvendoset te talentët e rinj që mund të bëhen emrat e mëdhenj të së ardhmes. Sipas një raportimi të gazetës “The Sun”, tre futbollistë të rinj anglezë kanë tërhequr vëmendjen e skautëve për potencialin dhe paraqitjet e tyre: Teddie Lamb i Manchester Cityt, Luca Williams-Barnett i Tottenhamit dhe Jai Nwosu i Brentfordit.
Në mesin e talenteve që po ndiqen me interes është Teddie Lamb, 17-vjeçari i akademisë së Manchester Cityt. Sulmuesi ka spikatur për fizikun, lëvizjet në fushë dhe aftësinë për të gjetur rrugën drejt golit. Ai iu bashkua Cityt në vitin 2025, pasi u largua nga Leyton Orient, dhe këtë sezon ka realizuar nëntë gola në dhjetë paraqitje. Lamb është aktivizuar me ekipet U18 dhe U21 të klubit, ndërsa zhvillimi i tij po vëzhgohet nga afër. Një skaut i Bournemouthit, skuadër që kishte tentuar ta transferonte përpara se ai të zgjidhte Manchester Cityn, e ka vlerësuar lart potencialin e sulmuesit, duke besuar se ai ka cilësitë për të arritur nivelet më të larta. Një tjetër detaj interesant është se Lamb kaloi shtatë vjet te Leyton Orient, klubi ku Harry Kane debutoi si profesionist gjatë një huazimi nga Tottenhami.
Një tjetër emër që po krijon pritshmëri është Luca Williams-Barnett, 18-vjeçari i akademisë së Tottenhamit. Në klubin londinez besohet se ai mund të jetë një nga talentet më premtuese që ka dalë nga akademia në vitet e fundit. Trajneri Roberto De Zerbi ka folur me vlerësim për aftësitë e tij, por ka theksuar se futbollisti duhet të përmirësohet në zonën e fundit të fushës dhe të punojë më shumë në aspektin fizik. Williams-Barnett është përfshirë në listën e ekipit të parë për një ndeshje të Ligës Premier kundër Brentfordit, megjithëse nuk u aktivizua. Disa dëmtime kanë ngadalësuar përparimin e tij, por ai ka regjistruar një gol dhe një asistim në vetëm 77 minuta lojë në Ligën Premier 2 dhe kompeticione të tjera të futbollit anglez. Tottenhami po punon gjithashtu për të siguruar të ardhmen e tij, pasi kontrata aktuale përfundon në vitin 2028.
Talenti i tretë është Jai Nwosu, sulmuesi 16-vjeçar i Brentfordit, i cili po tërheq vëmendjen për instinktin e golit dhe përmasat fizike. Me një gjatësi rreth 1.88 metra, ai ka aftësinë të përballet me mbrojtësit kundërshtarë, por profili i tij nuk kufizohet vetëm te forca fizike. Nwosu di të largohet nga zona e sulmit për të marrë topin, të bashkëpunojë me mesfushën dhe të krijojë hapësira për shokët e skuadrës, duke ofruar alternativa të ndryshme në repartin ofensiv. I lindur në vitin 2010, ai ka shënuar pesë gola dhe ka dhënë tri asistime në dhjetë paraqitje në Premier League U18 dhe Kupën e Premier League. Këto shifra marrin rëndësi edhe më të madhe duke pasur parasysh se disa probleme fizike i kanë ndërprerë ritmin gjatë sezonit.
Të tre lojtarët janë ende në fazat e para të zhvillimit dhe kanë një rrugë të gjatë përpara për t’iu afruar nivelit të Harry Kane, i cili ka lënë gjurmë me Tottenhamin, Bayern Munichun dhe përfaqësuesen e Anglisë. Megjithatë, paraqitjet e tyre kanë bërë që skautët t’i mbajnë nën vëzhgim, me shpresën se njëri prej tyre mund të shndërrohet në një nga sulmuesit e rëndësishëm të futbollit anglez në vitet e ardhshme.






















