Lamine Yamal ka fituar për të tretin vit radhazi trofeun “Kopa”, çmimin që i jepet futbollistit të ri më të mirë në botë, gjatë ceremonisë së Topit të Artë 2026, që po zhvillohet mbrëmjen e kësaj të hëne në Londër.
Talenti spanjoll i Barcelonës është vlerësuar sërish për paraqitjet e tij, duke regjistruar një tjetër arritje të rëndësishme në karrierë. Çmimi iu akordua në orën 21:55, vetëm pak minuta pas nisjes së ceremonisë gala, duke e bërë Yamal një nga protagonistët e parë të mbrëmjes.
Ky është viti i tretë radhazi që futbollisti spanjoll merr këtë vlerësim, duke konfirmuar vazhdimësinë e tij në nivelet më të larta të futbollit europian dhe botëror.
Ndërkohë, ceremonia vijoi me ndarjen e trofeut “Kopa” për femra, i cili u fitua nga Vicky López në orën 22:00.
Përveç suksesit në kategorinë e talenteve të rinj, Lamine Yamal mbetet edhe një nga kandidatët kryesorë për Topin e Artë 2026, ku në garë janë gjithashtu emra të njohur si Kylian Mbappé dhe Harry Kane.
Organizatorët kanë publikuar deri tani renditjen nga vendi i 30-të deri në të 11-in, ndërsa pritet të zbulohen dhjetë pozicionet e para dhe fituesi i çmimit më prestigjioz individual në futboll.
Ceremonia në Londër vijon me ndarjen e çmimeve të tjera, ndërsa vëmendja kryesore mbetet te shpallja e futbollistit më të mirë të vitit 2026.






















