Shqipëria do të vijojë të ketë një nga nivelet më të larta të taksimit të fitimit dhe dividendëve në Ballkanin Perëndimor, edhe pas tërheqjes së qeverisë nga propozimi për rritjen e tatimfitimit nga 15% në 17%. Paketa e re fiskale për vitin 2027 parashikon rritjen e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, vendosjen e një shkalle të re tatimi prej 30% për pagat mbi 700 mijë lekë në muaj dhe rritjen e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%. Shqipëria do të vijojë të ketë tatimfitim më të lartë se Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina dhe shumica e bizneseve në Mal të Zi, ndërsa do të mbetet në të njëjtin nivel me Serbinë. Përfaqësuesit e biznesit kanë paralajmëruar zhvendosjen e aktivitetit dhe investimeve drejt vendeve fqinje.
“Monitor” ka krahasuar normat kryesore tatimore në vendet e Ballkanit Perëndimor, si edhe në Slloveni, Kroaci, Hungari, Rumani, Greqi, Turqi dhe Moldavi, ekonomi që aplikojnë modele të ndryshme të taksimit të fitimit, të ardhurave personale dhe konsumit.
Krahasimi tregon se Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina aplikojnë një normë standarde tatimfitimi prej 10%, ndërsa Mali i Zi e nis tatimin nga 9%, duke e rritur në mënyrë progresive deri në 15%. Serbia aplikon një normë prej 15%, të njëjtë me Shqipërinë, pas tërheqjes së qeverisë nga propozimi për rritjen në 17%.
Në vendet e tjera të përfshira në krahasim, Hungaria ka normën më të ulët të tatimit mbi fitimin, prej 9%, ndërsa Moldavia aplikon 12% dhe Rumania 16%. Kroacia ka dy norma, 10% dhe 18%, sipas të ardhurave të biznesit. Sllovenia dhe Greqia aplikojnë nga 22%, ndërsa Turqia 25%, me normë më të lartë për sektorin financiar.
Diferenca është edhe më e madhe në tatimin mbi të ardhurat personale. Shqipëria aktualisht aplikon një sistem progresiv, me norma 13% dhe 23% për pjesën e të ardhurave të tatueshme mbi pragjet përkatëse, ndërsa paketa e re parashikon një shkallë të tretë prej 30% për pjesën e pagës bruto që tejkalon 700 mijë lekë në muaj. Në draftin fillestar ishte propozuar norma 32%, por ajo u rishikua në prezantimin e paketës më 28 tetor.
Në Kosovë, norma më e lartë e tatimit mbi të ardhurat personale është 10%, po aq sa në Maqedoninë e Veriut. Në Bosnjë-Hercegovinë, tatimi mbi pagat është 10% në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës dhe në Distriktin e Bërçkos, ndërsa në Republikën Srpska është 8%. Mali i Zi aplikon norma prej 0%, 9% dhe 15%, ndërsa Serbia taton pagat me 10%, krahas një tatimi vjetor shtesë për individët që tejkalojnë kufijtë e përcaktuar të të ardhurave.
Në vendet e tjera të krahasuara, Sllovenia aplikon norma progresive të tatimit personal nga 16% në 50%, Greqia nga 9% në 44% dhe Kroacia norma të diferencuara sipas bashkive. Turqia ka norma progresive deri në 40%, ndërsa Hungaria aplikon normë të sheshtë prej 15%, Moldavia 12% dhe Rumania 10%.
Tatimfitimi mbetet 15%, dividendi 15%, pagat e larta deri në 30%
Paketa fiskale për vitin 2027 parashikon ndryshime në taksat mbi të ardhurat dhe fitimet, megjithëse qeveria është tërhequr nga rritja e tatimfitimit e përfshirë në draftin fillestar.
Drafti fillestar parashikonte rritjen me 2 pikë përqindjeje të tatimit mbi fitimin e korporatave, nga 15% në 17%, një masë nga e cila priteshin rreth 5 miliardë lekë të ardhura shtesë. Por më 28 tetor kryeministri Edi Rama njoftoi se qeveria nuk do ta rrisë tatimfitimin për biznesin e madh, duke e lënë normën në 15%.
Ndërkohë, tatimi mbi dividendin propozohet të rritet nga 8% në 15%, duke sjellë sipas përllogaritjeve fillestare të Ministrisë së Financave rreth 3 miliardë lekë të ardhura shtesë. Qeveria nuk është tërhequr nga kjo masë.
Kjo do ta çonte tatimin mbi dividendin në Shqipëri në të njëjtin nivel me atë të Serbisë, Malit të Zi dhe Hungarisë, kur krahasohen normat e përgjithshme për individët rezidentë.
Në Kosovë, dividendët janë të përjashtuar nga tatimi. Maqedonia e Veriut aplikon normën 10%. Në Bosnjë-Hercegovinë, trajtimi i dividendëve ndryshon sipas entitetit dhe rezidencës së përfituesit; për pagesat ndaj kompanive jorezidente, norma e përgjithshme e mbajtjes në burim është 5% në Federatë dhe 10% në Republikën Srpska, me mundësi ndryshimi sipas marrëveshjeve tatimore.
Në vendet e tjera të krahasuara, Greqia ka normë prej 5% mbi dividendët, Moldavia 6%, Kroacia 12%, Rumania 16% dhe Sllovenia 25%.
Në Shqipëri, ndryshimi i propozuar për tatimin mbi pagat përmban dy masa me efekte të kundërta. Rritja nga 200 mijë në 300 mijë lekë në muaj e pragut mbi të cilin zbatohet norma 23% do të ulë barrën tatimore për një pjesë të punëmarrësve, me një kosto të vlerësuar buxhetore prej 1.98 miliardë lekësh.
Por për pagat mbi 700 mijë lekë bruto në muaj është njoftuar vendosja e një norme të re marxhinale prej 30%, në vend të 32% të draftit fillestar. Kjo normë do të zbatohet vetëm mbi pjesën e pagës që tejkalon pragun përkatës. Relacioni fillestar parashikonte rreth 970 milionë lekë të ardhura shtesë në vit nga norma 32%; ky efekt kërkon rivlerësim.
Norma e re maksimale prej 30% do të ishte dukshëm më e lartë se normat e zakonshme të tatimit mbi pagat në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ndonëse ajo prek vetëm një pjesë të kufizuar punëmarrësish.
Krahasimi i TVSH-së
Ndryshimet e propozuara në Shqipëri prekin edhe tatimin mbi vlerën e shtuar.
Për herë të parë, paketa parashikon vendosjen e një norme të reduktuar prej 6% për produktet ushqimore bazë, nga 20% që aplikohet aktualisht. Sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave, kjo masë do të kishte një kosto prej 12.8 miliardë lekësh në buxhet.
Por paralelisht, norma standarde e TVSH-së propozohet të rritet nga 20% në 21%, me një efekt të pritshëm prej 10.6 miliardë lekësh të ardhura shtesë, me një diferencë prej rreth 2.2 miliardë lekësh midis dy masave.
Paketa parashikon gjithashtu uljen e pragut të regjistrimit në TVSH në 5 milionë lekë xhiro vjetore, masë nga e cila priten 4.5 miliardë lekë të ardhura shtesë, si edhe rritjen e propozuar të TVSH-së për hotelerinë nga 6% në 10%, me përjashtim të agroturizmit, me efekt të vlerësuar fillimisht rreth 600 milionë lekë.
Në këtë mënyrë, lehtësimi i propozuar për produktet ushqimore shoqërohet me zgjerimin e bazës së TVSH-së dhe rritjen e normës standarde për mallrat e shërbimet e tjera.
Në vendet e rajonit, TVSH-ja e reduktuar për ushqimet aplikohet prej kohësh, megjithëse produktet që përfitojnë ndryshojnë sipas legjislacionit kombëtar.
Serbia ka një normë standarde prej 20% dhe normë të reduktuar prej 10% për produktet bazë. Kosova aplikon 18% dhe 8%, ndërsa Maqedonia e Veriut ka normë standarde 18% dhe normë të reduktuar 5% për kategori ushqimore të përcaktuara.
Në Mal të Zi, norma standarde është 21%, ndërsa për produkte të caktuara ushqimore zbatohet norma 7%. Bosnjë-Hercegovina ka një normë të vetme prej 17%, pa TVSH të reduktuar për ushqimet.
Kroacia aplikon normë standarde të TVSH-së prej 25% dhe norma të reduktuara prej 5% dhe 13%. Sllovenia ka normë standarde prej 22%, si edhe norma të reduktuara prej 9.5% dhe 5%. Greqia aplikon normë standarde 24%, me norma të reduktuara 6% dhe 13%; Turqia ka normë standarde 20%, ndërsa Moldavia 20%, me norma të reduktuara për kategori të caktuara.
Edhe Rumania e rriti normën standarde të TVSH-së nga 19% në 21% në gusht 2025, por aplikon normë të reduktuar 11% për shumicën e produkteve ushqimore, me përjashtime të përcaktuara me ligj.
Hungaria, ndonëse ka normën standarde më të lartë, prej 27%, aplikon norma të reduktuara prej 5% dhe 18% për kategori të caktuara ushqimore./Monitor






















