Intelektualë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kundër dhunës policore, sot në orën 13:00 përpara Ministrisë së Arsimit
Një grup intelektualësh dhe përfaqësuesish të shoqërisë civile do të dalin sot, në orën 13:00, përpara Ministrisë së Arsimit, për të shprehur qëndrimin e tyre kundër dhunës policore gjatë protestave të ditëve të fundit në vend.
Përmes një njoftimi drejtuar mediave, organizatorët bëjnë të ditur se angazhimi i tyre synon dënimin e dhunës së ushtruar nga policia, mbështetjen e protestës paqësore të studentëve dhe kërkesën për vendosjen përpara përgjegjësisë të personave përgjegjës për aktet e dhunës dhe paligjshmërisë.
Dalja publike e intelektualëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile vjen në një kohë kur ndërhyrjet e policisë gjatë protestave kanë shkaktuar reagime dhe shqetësime lidhur me përdorimin e forcës dhe respektimin e të drejtës për tubim paqësor.
Në takimin e sotëm pritet të bëhet publik qëndrimi i këtij grupimi, i cili kërkon përgjegjësi për veprimet e paligjshme dhe mbrojtjen e të drejtës së studentëve për të protestuar paqësisht.






















