Sociale 26 October 2026, 14:13 Nga VNA

INSTAT: Fëmijët, më të rrezikuarit nga varfëria në Shqipëri, gati dyfish më shumë se të moshuarit

Ndaje në Whatsapp

INSTAT: Fëmijët, më të rrezikuarit nga varfëria në

Fëmijët janë grup-mosha më e rrezikuar nga varfëria në Shqipëri, me një probabilitet pothuajse dy herë më të lartë se të moshuarit.

Sipas të dhënave të INSTAT, vitin e kaluar, 26.2% e fëmijëve të moshës 0-17 vjeç ishin në rrezik për të qenë të varfër, në krahasim me 14% të personave mbi 65 vjeç. Kjo do të thotë se më shumë se një në katër fëmijë jeton në një familje me të ardhura nën kufirin e varfërisë relative.

Të dhënat e Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës tregojnë se rreziku i varfërisë bie me rritjen e moshës. Për grup-moshën 18-64 vjeç, treguesi ishte 18.5%, ndërsa te personat mbi 65 vjeç zbriste në 14%.

Diferenca e madhe mes fëmijëve dhe të moshuarve lidhet kryesisht me mënyrën se si sigurohen dhe shpërndahen të ardhurat brenda familjeve. Fëmijët nuk kanë të ardhura të tyret dhe niveli i jetesës së tyre varet tërësisht nga të ardhurat e prindërve ose të anëtarëve të tjerë të familjes.

Në familjet me fëmijë, veçanërisht ato me disa fëmijë, të ardhurat nga puna duhet të mbulojnë nevojat e një numri më të madh personash. Kur vetëm njëri prind punon, pagat janë të ulëta ose punësimi është i paqëndrueshëm, rreziku që të ardhurat për frymë të bien nën kufirin e varfërisë rritet.

Një tjetër faktor është barra e shpenzimeve për rritjen e fëmijëve, nga ushqimi dhe veshmbathja te arsimi, transporti dhe kujdesi shëndetësor. Këto shpenzime ushtrojnë presion mbi buxhetet familjare, ndonëse treguesi i INSTAT mat varfërinë në bazë të ardhurave dhe jo drejtpërdrejt të shpenzimeve.

Ndryshe nga fëmijët, një pjesë e madhe e të moshuarve kanë një burim relativisht të qëndrueshëm të ardhurash nga pensionet, pavarësisht nivelit të tyre shpesh të ulët. Pensioni siguron një të ardhur të rregullt, ndërsa familjet e përbëra vetëm nga një ose dy pensionistë kanë më pak persona në varësi ekonomike.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se të moshuarit kanë një standard më të mirë jetese se fëmijët. Treguesi mat varfërinë relative, pra të ardhurat e familjeve në raport me nivelin e përgjithshëm te të ardhurave në vend, dhe jo aftësinë reale për të përballuar të gjitha nevojat e jetesës.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se vajzat kanë një rrezik pak më të lartë varfërie se djemtë. Diferenca gjinore bëhet më e dukshme në moshat e mëdha, ku 15.1% e grave mbi 65 vjeç janë në rrezik varfërie, krahasuar me 12.9% të burrave.

Përqendrimi i varfërisë te fëmijët ka pasoja që shtrihen përtej gjendjes së sotme ekonomike të familjeve. Të ardhurat e pamjaftueshme mund të kufizojnë mundësitë për ushqyerje cilësore, arsim dhe zhvillim, duke rritur rrezikun që pabarazitë ekonomike të trashëgohen nga një brez te tjetri.

Të dhënat sugjerojnë se ulja e varfërisë së fëmijëve kërkon jo vetëm rritje të të ardhurave nga puna, por edhe politika mbështetëse të orientuara drejt familjeve me fëmijë, veçanërisht atyre me të ardhura të ulëta dhe me shumë persona në varësi ekonomike./Monitor.al/

INSTAT: Fëmijët, më të rrezikuarit nga varfëria në

Video

Taulant Balla, më i bindur se Edi Rama: Dorëheqja nuk ndodh kurrë!

Biznesmeni Behgjet Pacolli është paraqitur në SPAK për të dhënë shpjegime si person në dijeni për një padi që ka bërë lidhur me Aeroportin e Vlorës. Pacolli ishte i shoqëruar nga avokati i tij, Eduard Halimi. Çështja e aeroportit është tashmë në arbitrazh.

Protesta në 14:00, “armatë” policësh drejt qendrës

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme