
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për plagosjen e 28-vjeçarit Erjon Vishkulli gjatë protestës së 24 tetorit në kryeqytet, si dhe për disa raste të tjera ku dyshohet se punonjës të Policisë së Shtetit kanë përdorur forcë joproporcionale ndaj protestuesve.
Përmes një njoftimi zyrtar, organi i akuzës bën të ditur se ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr. 7806 të vitit 2026, për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 250 të Kodit Penal, që lidhen me shpërdorimin e detyrës dhe kryerjen e veprimeve arbitrare.
Në kuadër të hetimeve për plagosjen e Vishkullit, i cili pësoi dëmtim të rëndë në sy gjatë protestës, Prokuroria ka administruar pamjet filmike të siguruara nga Banka e Shqipërisë, si dhe kartelën mjekësore të të riut nga Spitali Universitar i Traumës.
Veprimet hetimore po kryhen në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), ndërsa po shqyrtohet edhe mundësia e dërgimit të një letërporosie autoriteteve italiane, ku 28-vjeçari është dërguar për trajtim të specializuar mjekësor.
Ndërkohë, hetimet janë zgjeruar edhe për raste të tjera të dyshuara të dhunës policore gjatë protestave në Tiranë. Sipas Prokurorisë, deri më tani janë administruar rreth 20 kartela mjekësore të qytetarëve të dëmtuar, për të cilët po kryhen verifikime në bashkëpunim me AMP-në.
Organi i akuzës thekson se hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e ngjarjeve dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e mundshme penale.






















