
Një grup intelektualësh dhe përfaqësuesish të shoqërisë civile kanë depozituar një kallëzim penal në SPAK për dhunën e dyshuar të policisë ndaj studentëve dhe qytetarëve gjatë protestave të fundit në vend.
Në një deklaratë për mediat, ata bënë të ditur se kanë dokumentuar 180 raste të pretenduara të dhunës policore ndaj protestuesve, mes të cilëve studentë dhe gjimnazistë.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile dënuan veprimet e policisë, duke i cilësuar ato si përpjekje për të frikësuar qytetarët dhe për të penguar ushtrimin e së drejtës për protestë.
“Studentët nuk janë vetëm, ne nuk do t’i lëmë vetëm. Kemi bërë kallëzim penal në SPAK për dhunën policore. Kemi evidentuar 180 raste të dhunës ndaj qytetarëve, studentëve dhe gjimnazistëve”, deklaroi një prej përfaqësuesve.
Ata kërkuan hetim të plotë dhe të shpejtë të rasteve të denoncuara, si dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë të efektivëve që mund të kenë shkelur ligjin.
Ndërkohë, një prej avokateve të pranishme kërkoi që masat e sigurisë të drejtohen ndaj punonjësve të policisë që dyshohet se kanë ushtruar dhunë dhe jo ndaj studentëve protestues.
“Pres masa sigurie për policët dhe jo studentët. Në protesta ka sjellje të dhunshme nga policia, që nuk janë dyshime, por me fakte”, u shpreh ajo.






















