Deputeti socialist Erion Braçe ka marrë sot rolin e mbrojtësit të paketës së re fiskale të qeverisë, duke u përqendruar te ulja e TVSH-së për ushqimet dhe ndryshimi i mënyrës së mbledhjes së taksës së qarkullimit për karburantet. Por në reagimin e tij mungon ana tjetër e paketës: rritja e një sërë taksash që do të prekin konsumin, bizneset dhe të ardhurat e larta.
Braçe e cilëson uljen e TVSH-së për ushqimet bazë nga 20% në 6% si një masë me karakter social, që duhet të përkthehet në çmime më të ulëta për qytetarët. Ai kërkon që qeveria të krijojë mekanizma kontrolli, në mënyrë që përfitimi nga ulja e tatimit të mos mbetet në duart e tregtarëve.
Por ndërsa deputeti socialist kërkon garanci që konsumatorët të përfitojnë nga ulja e TVSH-së për ushqimet, nuk thotë asnjë fjalë për faktin se e njëjta paketë propozon rritjen e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21% për mallrat dhe shërbimet që nuk përfitojnë nga normat e reduktuara. Pra, ndërsa një pjesë e shportës ushqimore do të tatohet më pak, për një pjesë tjetër të konsumit qytetarët do të paguajnë më shumë. 
Në paketë parashikohet gjithashtu rritja e TVSH-së për kategori të turizmit nga 6% në 10%, ndërsa tatimi mbi dividendin propozohet të rritet nga 8% në 15% dhe tatimi mbi fitimin nga 15% në 17%. Këto ndryshime nuk gjejnë vend në reagimin e Braçes, i cili e paraqet paketën kryesisht si një ndërhyrje për uljen e kostos së jetesës.
Edhe tatimi mbi pagat pëson ndryshime. Qeveria propozon zgjerimin e fashës që tatohet me 13%, duke e rritur kufirin nga 200 mijë në 300 mijë lekë në muaj, një lehtësim për pagat e mesme. Por njëkohësisht vendoset një shkallë e re tatimore prej 32% për pjesën e pagës bruto që tejkalon 700 mijë lekë në muaj, kundrejt normës aktuale prej 23%. Edhe kjo pjesë e paketës mbetet jashtë reagimit të deputetit socialist.
Një tjetër element që Braçe nuk përmend është se taksa e qarkullimit nuk po hiqet si detyrim, por po zhvendoset nga çmimi i karburantit te pagesat për automjetet. Qeveria premton ulje prej rreth 32 lekësh për litër në pompë, por ende nuk ka sqaruar sa do të paguajnë pronarët e automjeteve përmes sistemit të ri.
Sipas përllogaritjeve të revistës Monitor, mbështetur në relacionet e Ministrisë së Financave, ndryshimet fiskale parashikojnë rreth 150 milionë euro të ardhura shtesë në vit për buxhetin, edhe pasi llogaritet efekti i uljes së TVSH-së për ushqimet. Pra, paketa që Braçe po mbron si lehtësim për qytetarët synon njëkohësisht të rrisë të ardhurat që shteti mbledh nga taksat.
Deputeti socialist ka të drejtë kur kërkon që ulja e TVSH-së për ushqimet të reflektohet plotësisht në çmime. Por e njëjta pyetje vlen edhe për rritjen e taksave: kush do ta paguajë koston e tyre dhe sa prej saj do t'u transferohet konsumatorëve?
Për këtë pjesë, avokatia e Erion Braçes ndaj paketës fiskale nuk ofron përgjigje.
Shënim redaksional: Masat janë ende propozime për vitin 2027, jo detyrime që kanë hyrë në fuqi.






















