Ramiz Alia i quante protestat studentore “çrregullime”. Gati 36 vjet më vonë, Edi Rama i quan protestuesit “turmë dhunuesish urbanë”, “mishmash” dhe “turmë e verbër”. Dy udhëheqës të kohëve të ndryshme, por me një retorikë të ngjashme për studentët që dalin në rrugë kundër pushtetit.
Në një mesazh drejtuar qytetarëve këtë të mërkurë, Rama akuzoi protestuesit se kanë marrë peng Tiranën, kanë cenuar lirinë e qytetarëve dhe po përpiqen t’i imponohen shoqërisë përmes dhunës. “Kush janë këta dhe në emër të kujt duan të na imponojnë forcën e antiligjit dhe të antinjerëzillëkut?”, pyeti kryeministri, duke i përshkruar protestuesit si një “mishmash kategorish” që kanë si devizë të përbashkët kundërshtimin e qeverisë dhe kërkesën për dorëheqjen e tij.
Rama shkoi më tej, duke deklaruar se protestuesit “kanë marrë peng Tiranën” dhe se, falë “ekraneve të korruptuara televizive”, kanë marrë edhe vëmendjen e një populli të tërë. Sipas tij, kjo turmë “nuk ka asnjë lidhje me popullin dhe autorizim për të folur për popullin”. Ai i akuzoi gjithashtu për thyerje xhamash, sulme me gurë e zjarr ndaj institucioneve dhe policisë, si dhe për cenimin e lirisë së qytetarëve që nuk marrin pjesë në protesta.
Gjuha e kryeministrit sjell ndër mend dhjetorin e vitit 1990, kur Ramiz Alia përballej me studentët që kërkonin ndryshimin e sistemit. Në takimin historik me ta, studentët kundërshtuan mënyrën se si televizioni shtetëror i kishte paraqitur protestat. “Jo trazira, janë quajtur çrregullime”, u përgjigj Alia. Kur një student kërkoi të dinte ndryshimin, ai ia ktheu: “Mos merremi me rregulla gjuhësore”.
Në vitin 1990, Ramiz Alia diskutonte nëse protestat ishin trazira apo çrregullime. Në vitin 2026, Edi Rama flet për “turmë dhunuesish urbanë”, “përndjekës online”, “sorra e korba” dhe protestues që duan të imponojnë “forcën e antiligjit”. Ndërsa Alia përballej me studentët që kërkonin fundin e sistemit komunist, Rama përballet me studentë dhe protestues që kërkojnë dorëheqjen e qeverisë së tij.
Sistemet politike janë të ndryshme, por krahasimi qëndron te retorika. Në të dyja rastet, udhëheqësit e vendosin theksin te çrregullimi i rendit dhe sjellja e protestuesve, ndërsa kërkesat e tyre politike mbeten në plan të dytë.
Ramiz Alia fliste për “çrregullime”, Edi Rama për “turmë të verbër”. Gati 36 vjet më pas, fjalët kanë ndryshuar, por mënyra se si pushteti u drejtohet studentëve që kërkojnë ndryshim tingëllon e njohur.






















