
Kryetari i PD, Sali Berisha, duket se ka gjetur një tjetër shpjegim për thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, të cilat nuk janë dëgjuar vetëm në protestën e ashtuquajtur të flamingove, por janë bërë pjesë edhe e protestave studentore kundër klasës politike.
Gjatë mbledhjes me grupit parlamentar të PD-së, Berisha pretendoi se protesta e flamingove ishte marrë nën kontroll nga dyshja Edi Rama-Belinda Balluku, ndërsa organizatorët, sipas tij, u jepnin mikrofonin vetëm atyre që pranonin të artikulonin sloganin kundër dy kryetarëve të PS dhe PD.
“Kontrolluesit e mikrofonit, horra si ata, u jepnin mikrofonin vetëm atyre të cilët merrnin përsipër sloganin ‘Rama në burg, Berisha në burg’”, deklaroi ai.
Por pretendimi i Berishës nuk përputhet me realitetin në terren. Thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg” nuk mbetën vetëm te protesta e flamingove. Ato dëgjohen edhe nga studentët, të cilët kanë dalë në rrugë për të kundërshtuar një sistem politik 30-vjeçar, ku Berisha nuk është një emër i rastësishëm, por një nga protagonistët kryesorë.
Në mbledhjen me deputetët demokratë, Berisha dënoi edhe dhunën policore dhe arrestimet e protestuesve, duke i cilësuar të paligjshme. Ai këmbënguli se PD i kishte mbështetur protestat pa tentuar t'u merrte drejtimin. Por mbështetja e një proteste nënkupton edhe pranimin e zërit të saj, përfshirë rastet kur ai zë nuk thërret vetëm kundër qeverisë, por edhe kundër opozitës.






















