Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar lidhur me transferimin e tij nga paraburgimi i Durrësit drejt atij të Fierit, duke pretenduar se nuk i është vënë në dispozicion akti që urdhëron zhvendosjen dhe as arsyet që e justifikojnë atë.
Në një deklaratë të datës 28 tetor, Veliaj thotë se punonjës të Policisë së Burgjeve, të dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, janë paraqitur në IEVP Durrës për ta transferuar në Fier. Sipas tij, kërkesat e përsëritura të bëra nga ai dhe avokati për t’u njohur me dokumentacionin janë refuzuar.
“Një transferim i detyruar, pa më bërë të njohur aktin dhe arsyet ligjore mbi të cilat mbështetet, për mua përbën një rrëmbim policor dhe cenon rëndë të drejtat e mia”, shprehet Veliaj.
Ai thekson se nuk ka dhënë pëlqimin për transferimin dhe se ka kundërshtuar mënyrën e realizimit të tij, duke pretenduar mungesë transparence dhe pengim të ushtrimit efektiv të të drejtave ligjore.
Veliaj i kërkon ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit të ndërhyjnë urgjentisht për të verifikuar arsyet dhe shkaqet e transferimit, të cilin e cilëson “politik”.
Më herët, avokati Plarent Ndreca reagoi për transferimin e Veliajt në paraburgimin e Fierit, duke akuzuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për mungesë transparence. Sipas tij, mbrojtjes nuk i është vënë në dispozicion akti zyrtar dhe as arsyet e zhvendosjes. Ndreca e cilësoi veprimin si një “rrëmbim” dhe kërkoi dorëzimin e aktit administrativ dhe të dokumenteve që justifikojnë transferimin.






















