Një sulm me thika është regjistruar gjatë natës pranë ambasadës së Izraelit në Beograd, ku një person ka sulmuar një efektiv të xhandarmërisë serbe që ruante objektin diplomatik.
Ngjarja ndodhi rreth 15 minuta pas mesnatës së 28 tetorit, ndërsa agresori, i armatosur me dy thika, iu afrua efektivit dhe e sulmoi.
Sipas ministrit të Brendshëm në detyrë të Serbisë, Ivica Daçiç, sulmuesi dyshohet se ishte i mitur dhe nga qyteti i Shabacit, por identiteti i tij nuk ishte konfirmuar në momentin e deklaratës.
Gjatë sulmit, efektivi i policisë pësoi një plagë të lehtë në fytyrë, ndërsa reagoi duke përdorur armën e shërbimit dhe qëlloi për vdekje agresorin.
Autoritetet serbe e kanë cilësuar ngjarjen si sulm terrorist dhe kanë urdhëruar menjëherë ngritjen e nivelit të kërcënimit terrorist në shkallën më të lartë, atë të kuqe.
Vendimi parashikon shtimin e forcave policore në objektet diplomatike, institucionet shtetërore, infrastrukturën kritike dhe zonat ku ka përqendrim të madh qytetarësh.
Daçiç deklaroi se agresori ishte i njohur për shërbimet e sigurisë dhe se dyshohej për mbështetje ndaj organizatës terroriste Shteti Islamik.
Sipas ministrit, i dyshuari kishte publikuar në rrjetet sociale flamurin dhe simbolet e kësaj organizate, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar motivin dhe rrethanat e plota të sulmit.
Ministria e Jashtme e Izraelit konfirmoi se asnjë punonjës i ambasadës nuk ishte lënduar dhe se përfaqësia diplomatike ishte e mbyllur në momentin e ngjarjes.
Ky është sulmi i dytë ndaj personelit të sigurisë pranë ambasadës izraelite në Beograd brenda dy viteve. Në qershor të vitit 2024, një tjetër agresor plagosi me hark një efektiv policie, përpara se të qëllohej për vdekje.
Ngjarja e fundit vjen në një periudhë të ndjeshme politike për Serbinë, pas zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit, ndërsa autoritetet kanë intensifikuar masat e sigurisë në kryeqytet./ Reuters






















