Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përballet me pasiguri për vazhdimin e qeverisjes, pasi rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare të së martës tregojnë se koalicioni i tij nuk ka siguruar shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë së re.
Sipas të dhënave të raportuara pas numërimit të rreth 70% të votave, koalicioni i udhëhequr nga Netanyahu ka siguruar 53 mandate, ndërsa partitë e opozitës hebreje kanë marrë 48 mandate.
Në këtë situatë, rol vendimtar mund të luajnë partitë arabe, të cilat, sipas rezultateve paraprake, kanë siguruar 19 vende në parlamentin izraelit, Knesset.
Udhëheqësi i opozitës, ish-gjenerali Gadi Eisenkot, ka deklaruar se synon krijimin e një shumice qeverisëse, megjithëse ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni të gjerë me partitë arabe.
Nga ana tjetër, Netanyahu ka kritikuar rezultatin e partive arabe dhe ka ngritur pretendime për parregullsi zgjedhore, të cilat janë kundërshtuar nga përfaqësuesit e opozitës.
Parlamenti izraelit ka 120 vende dhe për formimin e një shumice parlamentare nevojiten të paktën 61 mandate. Me rezultatet e raportuara deri tani, asnjëri prej dy blloqeve kryesore nuk e arrin këtë prag.
Negociatat mes forcave politike dhe qëndrimi i partive arabe mbeten faktorë të rëndësishëm për përcaktimin e përbërjes së qeverisë së ardhshme, ndërsa pritet përfundimi i numërimit të votave.






















