Kandidati i mundur në zgjedhjet presidenciale në Brazil, Flavio Bolsonaro, ka mbërritur në Miami të Shteteve të Bashkuara nga Ekuadori, pavarësisht një urdhri gjykate që e detyronte të dorëzonte pasaportat e tij në kuadër të një hetimi për korrupsion dhe pastrim parash.
Bolsonaro, djali i ish-presidentit brazilian Jair Bolsonaro, humbi zgjedhjet e së dielës përballë presidentit Luiz Inacio Lula da Silva. Pas rezultatit zgjedhor, vendndodhja e tij u bë objekt pyetjesh, pasi brenda dy ditësh u raportua se ai ishte larguar nga Ekuadori drejt Shteteve të Bashkuara.
Flavio Bolsonaro është nën hetim për lidhje të dyshuara me një bankier të akuzuar për shkelje financiare dhe me një person të dyshuar për pastrim parash. Të martën në mëngjes, ai nuk kishte respektuar afatin e caktuar nga Gjykata Supreme e Brazilit për dorëzimin e pasaportave.
Sipas gazetës amerikane “The Washington Post”, një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit konfirmoi se Flavio Bolsonaro dhe familjarët e tij kishin marrë viza për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.
Të dhënat e gjurmimit të fluturimeve treguan se avioni privat i tipit “Gulfstream”, me të cilin udhëtonte Bolsonaro, u nis nga qyteti Guayaquil në Ekuador dhe u ul në Aeroportin Ekzekutiv Miami-Opa Locka, një aeroport që përdoret për fluturime civile dhe operacione ushtarake.
Mbërritja e tij në SHBA vjen në një moment kur hetimet për lidhjet e dyshuara financiare dhe mosrespektimi i urdhrit gjyqësor për dorëzimin e pasaportave kanë ngritur pikëpyetje të reja mbi lëvizjet e tij pas humbjes në zgjedhjet presidenciale.






















